Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar të premten Turqinë se mund të rrezikojë më shumë lidhjet bilaterale nëse blen armë tjera nga Rusia.
Kjo deklaratë ka ardhur pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është takuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin më herët gjatë kësaj jave dhe ka diskutuar për bashkëpunim më të madh ushtarak, duke përfshirë aeroplanët ushtarakë dhe potencialisht edhe nëndetëset.
Turqia, vend anëtar i NATO-s, ka injoruar paralajmërimet e SHBA-së më 2017 për të mos blerë sistemet ruse për mbrojtje S-400, pasi aleanca perëndimore frikësohet se ky veprim mund t’i rrisë kapacitetet e Rusisë për të shënjestruar pajisjet ajrore të SHBA-së dhe Evropës Perëndimore.
“Ne i kemi bërë thirrje Turqisë në secilin nivel dhe mundësi që të mos blejë sistemet S-400 dhe të përmbahet nga blerja e ndonjë pajisjeje tjetër ushtarake nga Rusia”, ka thënë zëvendës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman para gazetarëve, kur është pyetur për udhëtimin e Erdoganit, transmeton agjencia e lajmeve AFP.
“Ne vazhdojmë t’ia bëjmë atë gjë të qartë Turqisë, ashtu sikurse pasojat me të cilat mund të përballet nëse niset në atë drejtim”, ka thënë Sherman, sa ka qenë në një vizitë në Zvicër.
Sherman ka përsëritur se S-400 nuk janë sisteme të “operueshme me sistemet e NATO-s”.
Si përgjigje ndaj blerjes që ka bërë Turqia, SHBA-ja pati larguar këtë shtet nga programi i aeroplanëve luftarakë F-35.
Në këtë program kanë qenë të përfshira disa kompani turke dhe Ankaraja ka pritur të ketë rreth 100 aeroplanë.
Megjithatë Sherman ka thënë se SHBA-ja vlerëson marrëdhënien me Turqinë, duke përmendur vendimin e kësaj të fundit për të mirëpritur miliona refugjatë sirianë dhe ofertën për të ndihmuar në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit në Afganistan.
“Turqia është sfiduese ndonjëherë. Jam e sigurt se edhe SHBA-ja është sfiduese për të ndonjëherë. Mirëpo ata janë aleatë të vlefshëm të NATO-s”, ka thënë Sherman.
Erdogan ka thënë të enjten se marrëdhënia e tij me presidentin amerikan, Joe Biden, “nuk ka nisur mirë”.
Biden, pa marrë ende pozitën e presidentit, e ka quajtur Erdoganin autokrat dhe ka treguar mbështetje për opozitën./REL