Sistemi zgjedhor, toksik. Duhet ndryshuar!
Oerd Bylykbashi, njeriu të cilit në 8 vite Lulzim Basha i besoi reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi nuk sheh asgjë të re në amendamentet kushtetuese të Partisë Demokratike, për të cilat ka refuzuar edhe të hedhë firmën.
“Së pari ka të bëjë me brendinë, kur është firmosur unë nuk kisha parë tekst të prezantur për deputetët e prandaj nuk mund të firmosja. Së dyti kur kam parë paketën, aty ka një seri propozimesh që ose nuk ndryshojnë asgjë ose janë çështje që për arsye parimesh kushtetuese apo ndërkombëtare janë me problem”.
Por teksa Lulzim Basha thotë se këto propozime synojnë të zhbëjnë ndryshimet e 30 Korrikut, krejt të kundërtën mendon deputeti Bylykbashi, i cili i mëshon ndryshimit të sistemit.
“Propozimi sjell një sistem propocional, rajonal me listë të hapur dhe me koalicion partish. Është ekzakte ajo që është sot. Konfirmojnë sistemin që prodhoi Edi Rama më 30 Korrik dhe 5 Tetor. Duhet një sistem krejt i ri”.
E për të mbërritur tek sistemi, si njohës e bashkëhartues i reformave më të rëndësishme në PD, Bylykbashi thotë se gjithçka nis nga diskutimi i brendshëm në parti.
“Ky sistem është një sistem toksik për demokracinë në Shqipëri. A do të jetë një propocional kombëtar me listë të hapur apo një sistem mazhoritar ku palër përballen më njëra-tjetrën. Jo kandidatën e të njëjtës parti përpiqen t’ia hedhin njëri- tjetrit. Kandidatët e të njëjtës listë i marrin vota njëri- tjetrit. Kjo është e papranueshme. Pra na duhet një analizë e thellë, e plotë, brenda nesh dhe më pas dhe me palën tjetër”.
Sa për vettingun në politikë, nismë të cilën e ka udhëhequr në 2018, Bylykbashi sqaron se pas opinionit të Venecias, adresimi i kësaj problematike merr zgjidhje përtej SPAK-ut.
“Vetingu ka standarde garancish kushtetuese më të ulta edhe se ligji i dekriminalizimi që është ligji më i ashpër në natyrën e vet. Por për politikanët ekzistojnë shumë instrumenta që janë sipas Komisionit të Venecias: Ligji antimafia, me të cilën mund të sekuestrohen pasuritë e paligjshme të të korruptuarve. Ligji i dekriminalizimit me të cilin pastrohet politika nga ato që janë të dënuar. Kemi LDKP, është SPAK-u, është një instrument i cili heton dhe të çon në burg nuk të çon në shtëpi. Vetingu i politikanëve të propozuar nuk i çon në burg por i çon në shtëpi politikanët e korruptuar”.
Me të njëjtin shqetësim Bylykbashi flet edhe për nevojën urgjente për bërjen e një reforme serioze territoriale.