Drew Sullivan: Në listën e sanksioneve të SHBA-së mund të shtohet edhe vëllai i Vuçiqit

“Ne e dimë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka shumë lidhje me krimin e organizuar. Ne e dimë se vëllai i Vuçiqit, Andrej është takuar me Zvonko Veselinoviçin. Ata ndoshta do t’i shtohen listës në muajt apo vitet e ardhshme”, ka thënë  Drew Sullivan, një nga themeluesit e Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).

Veç kësaj, duke komentuar sanksionet e vendosura ndaj Zvonko Veselinoviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Sullivan për mediumin serb Nova.rs. ka theksuar se mendon që qeveria amerikane po identifikon dhe sanksionon ata që janë lidhja midis qeverisë dhe krimit të organizuar.

“… E dimë se vëllai i Vuçiqit, Andrej, është takuar me Zvonko Veselinoviqin, i cili besohet se mbrohet nga regjimi në Serbi. Vuçiq zbaton politikën e Milo Gjukanoviqit dhe Vladimir Putinit, të cilët përdorin rregullisht lidhjet e tyre me krimin e organizuar si një degë sekrete të qeverisë. Krimi i organizuar mund t’i lejojë huliganët të shtypin protestat, siç e kemi parë së fundmi. Në Ballkan, këto lidhje zakonisht rregullohen nga vëllezërit e presidentit, siç bëri Aco për Milo Gjukanoviqin. Qeveritë, si Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, ndoshta nuk do ta sanksionojnë Vuçiqin. Ata nuk sanksionuan personalitete të rëndësishme, si presidenti hungarez Viktor Orban, apo kumbarin e të gjithë liderëve të korruptuar – Vladimir Putinin”, ka thënë më tej Sullivan, përcjell Telegrafi.

Ndërsa në pyetjen nëse pret që edhe dikush tjetër nga Serbia të jetë në listë, ai është përgjigjur se BE-ja dhe SHBA-ja ka të ngjarë të përqendrohen te njerëzit në zemër të marrëdhënieve të krimit të organizuar-qeveri.

“Meqenëse oligarkët e Putinit janë të gjithë të sanksionuar, unë pres një listë të ngjashme me emrat e miqve të Vuçiqit, manjatë e miq. Pres edhe disa anëtarë të familjes së tij, si Andrej. Ata ndoshta do të shtohen në listë në muajt apo vitet e ardhshme. Ne, sigurisht, do të bëjmë gjithçka që mundemi për të shtuar njerëz në atë listë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestëroi të mërkurën grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviq.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre. /Telegrafi/

Leave a Reply