Rekord ditor në Francë, mbi 94 mijë raste të reja me coronavirus

Franca në prag të Krishtlindjeve, kapërceu pragun e 94 mijë rasteve të reja ditore të COVID-19, më së shumti që nga shpërthimi në muajin mars të vitit 2020, sipas të dhënave të shëndetit publik francez.

Në 24 orë u raportuan 94.124 raste të reja në valën e pestë të pandemisë, e cila u përkeqësua shkaku i variantit shumë më ngjitës të Omicronit. Në shtatë ditët e fundit, ka pasur mesatarisht 66,417 raste të reja në ditë.

Rekordi ishte arritur gjatë ditës së enjte me më shumë se 91 mijë raste, por i cili u thye gjatë ditës së sotme, shkruan leparisien.

Në kulmin e valës së dytë, nivele të ngjashme u regjistruan në muajin nëntor të vitit 2020 – numri më i lartë ditor i rasteve ishte 86,852. Mijëra francezë u dyndën në farmaci të premten për të testuar veten me shpresën për të festuar Krishtlindjet me familjet e tyre.

Numri i vdekjeve është rritur në 122,462 që nga shpërthimi, ose 169 më shumë se të enjten.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në Francë, 52.7 milionë njerëz kanë marrë të paktën një dozë (ose 78.1 për qind e popullsisë) dhe 51.6 milionë janë vaksinuar plotësisht (ose 76.5 për qind e popullsisë). 

Leave a Reply