Nga sot të gjithë qytetarët që do të vizitojnë Kosovën duhet të kenë dëshminë e vaksinimit kundër Covid-19 me dy doza. Ky është vendimi i qeverisë së Kosovës, i cili hyn në fuqi nga dita e sotme.
Por edhe pse dëshmia e vaksinimit me dy doza është e detyrueshme për të hyrë në Kosovë, sërish disa kategori qytetarësh do të jenë të përjashtuar nga ky vendim.
“Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;
Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;
Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit; Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë; Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare; Personat me dëshmi mjekësore që kanë kundërindikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë”
Nga ana tjetër për të inkurajuar vaksinimin në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit.