“Shpërthimet dëmtuan pjesën e ndërtesës dykatëshe që përdoret si kopsht. Fatmirësisht, fëmijët po hanin mëngjes në atë kohë dhe ishin në një dhomë tjetër. Vetëm disa anëtarë stafi pësuan tronditje nga zhurma dhe forca e bombave”, tha Yulia Semenenko, edukatore kopshti.
Pamjet e shpërndara nga agjencitë e lajmeve dhe dëshmitë e njerëzve atje flasin vetë: një kopësht që përdoret nga 20 fëmijë dhe 18 vetë staf në fshatin Stanytsia-Luganska të Ukrainës Lindore është goditur nga predha mortajash.
Por së cilës palë i përkasin ato, kjo duket nuk po sqarohet ende. Rebelët pro-rusë në Ukrainë akuzojnë forcat qeveritare për bombardimin e fshatit të premten, teksa mediat ruse raportuan se të tjera njësi këmbësorie dhe tankesh po kthehen në bazat e tyre, në kontrast kjo sipas tyre, me frikën perëndimore për një pushtim të afërt të vendit fqinj.
Për të dytën ditë radhazi, separatistët e mbështetur nga Moska, të cilët kanë qenë në luftë me Ukrainën prej vitesh, thanë se janë gjendur nën sulmin me mortaja dhe artileri të forcave ukrainase sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Kievi këmbëngul se bombat i lëshuan rusët. Kremlini u shpreh “thellësisht i shqetësuar” me shpërthimin në Ukrainë dhe tha se po e ndjek situatën nga afër.
Shtetet e Bashkuara shprehen se Rusia po kërkon një pretekst për luftë. Prej tetë vjetësh, forcat ukrainase dhe rebelët pro-rusë luftojnë me njëri-tjetrin dhe armëpushimi i arritur mes tyre, shkelet në mënyrë rutinë. Megjithatë, këtë javë intensiteti i përplasjeve është shtuar.