Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit nisi sulm ushtarak ndaj Ukrainës.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë më 24 shkurt tha se sanksionet përfshijnë banka ruse të cilat do të hiqen nga sistemi financiar amerikan.
“Kjo nënkupton që çdo aset që ato kanë në SHBA, do të ngrihen”, tha ai.
Biden po ashtu tha se sanksionet e reja përfshijnë edhe eksportet, oligarkët dhe sektorin e teknologjisë.
Megjithatë Biden nuk ka vendosur që të përfshijë në sanksione edhe largimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, SWIFT. Ky sistem lejon transferimin e parave nga banka në bankë, në mbarë botën. Po ashtu, SHBA-ja nuk ka vendosur sanksione shtesë ndaj sektorit rus të energjisë.
Biden tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin zgjodhi luftën në vend të diplomacisë dhe shtoi se nuk ka plane që të bisedojë me të. Ky rund sanksionesh amerikane vjen dy ditë pasi SHBA-ja vendosi sanksionet e para ndaj Rusisë.
Më 24 shkurt, Rusia nisi një aksion ushtarak ndaj Ukrainës. Agresioni rus u dënua nga shtete në mbarë botën, ndërkaq, Bashkimi Evropian po ashtu ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione të ashpra ndaj Moskës.