A mund të kontrabandohet fitri, kafshata e gojës së myslimanit të ngratë dhe ato të kalojnë në prioritete kafshërore të Qenanave e Shaqirave që të dëshmohen se sa “të respektuar” që janë?! Bukën ta hanë të gjithë, por kjo nuk do të thotë se kjo bukë ta siguron respektin dhe dashurinë e të gjithëve. Është vetëm një mashtrim optik që paguhet me paratë e fitrit dhe të zeqatit të myslimanëve të vendit
Nga: Mr. Eset Shaqiri
“Gjëja më e vështirë është të përgatitesh moralisht dhe shpirtërisht. Dua të lexoj më shumë Kuran dhe të falem. Por, nuk mund të përqendrohem në lutjet e mia për shkak të tensionit. Sigurisht, ne gjejmë kohë për adhurim. Ka disa përjashtime në kohë lufte. Mund të luteni së bashku. Në këtë mënyrë, ne mund të përmbushim detyrat tona fetare”, shprehet në një media bootërore një motër myslimane nga froni i luftës në Ukrainë!
Të kthehemi në lluksin e sotshëm jonjerëzor, jofetar e jologjik të bashkësisë “fetare” të Shaqir Fetait!
Jemi dëshmtarë të organizimit të iftareve gllamuroze, me shumë pompozitet, me shumë persona dhe me shumë fytyra që nuk kanë lidhje as me iftar, as me Ramazan, as me islam! A është organizimi i “iftareve” të tilla detyrë fetare? Kush i paguan ato iftare! Prej nga paratë “myftiu” i Gostivarit, Sabahudin Zendeli, dhe ai i Shkupit, Qenan Ismaili, që në kohë krize, në kohën kur jemi çdo ditë të përlotur nga ai krim rus që po ndodhë në Ukrainë, ku po bien theror edhe myslimanët e këtij shteti, pra, në këtë kohë kur e tërë bota e civilizuar po solidarizohet me vuajtjet e këtij shteti, këta “myftinj” organizojnë “iftare” marramendëse! Pse? A vetëm që t’ia plotësojnë dëshirat e smura “liderit” të tyre, Shaqir Fetait, që ky të paraqitet si “person i dashur e i rrethuar” me dashamirë!
Natyrisht, askush nuk do të mund ta mohojë se kjo “dashuri” për Shaqir Fetain është me para, blihet me paratë e grumbulluara nga fitrat dhe zeqati i myslimanëve të vendit, të cilët i japin ekskluzivisht për mirëmbajtjen e Medresesë “Isa Beu”!
A mund të kontrabandohet fitri, kafshata e gojës së myslimanit të ngratë dhe ato të kalojnë në prioritete kafshërore të Qenanave e Shaqirave që të dëshmohen se sa “të respektuar” që janë?!
A u shkon në mend këtyre farë “myslimanëve me bateri” që, pak më tutje, janë disa motra e vëllezër që po agjërojnë e nuk po munden të hanë as iftar të zakontë e as syfyr për shkak të raketave dhe gjyleve që po hidhen mbi ta si mbi guralecë të papërfillshëm! Ku e gjejnë atë të drejtë morale, atë leje fetare islame, atë njerëzillëk, që të organizojnë “iftare kolektive” dhe aq të shtrenjta! Në krahasim me vitin e kaluar ky Ramazan na gjeti edhe me shtrenjtime enorme, të cilët kanë prekur edhe menytë e restoranteve të zakonshme, duke i ngritur çmimet në stratosferë. T’i mbledhish sot 200-300 vetë në një iftar, kjo padyshim që kushton shumë! Në cilin zë të buxhetit bashkësia “fetare” e Shaqir Fetait ka paraparë shpenzime për iftare gllamuroze dhe, natyrisht, kush e mbulon këtë lluks të panevojshëm, këtë bidat dhe këtë idiotizëm?!
Janë paratë e myslimanëve të ngratë, të atyreve që nuk kanë arritur t’i gëzojnë fëmijët me ndonjë dhuratë për Bajram, ngase është dashur të paguajnë fitrin; janë paratë e myslimanëve të fituar me djersën e ballit dhe që e shton krenarinë dhe besimin e tyre teksa i paguajnë detyrimet fetare, janë paratë e të devotshmëve që japin kontributin e tyre pa u imponuar si të kamur, ndërsa, varfanjakët shpirtëror të bashkësisë “fetare” të Shaqir Fetait i shpenzojnë sikur kartelët paratë e drogës!
Për çka gjithë ato iftare gllamuroze? Kujt i duhet iftari i Qenan Ismailit dhe i Qenanave të tjerë të Shaqir Fetait, të cilët me aq mospërfillje janë në gjendje që ta shpenzojnë fitrin e myslimanit! Pse? Vetëm që ta “lartësojnë” “liderin” e pamoralshëm të tyre, Shaqir Fetain, në mesin e politikanëve dhe të strukturave të ndryshme shoqërore! Po cili është kontributi i këtyre strukturave politiko-shoqëror në raport me BFI-në, në raport me myslimanët e vendit, të cilët janë në gjendje t’i zhdukin nga faqa e dheut vetëm e vetëm që numri i tyre të zbresë në përqindjen e projektuar nga strukturat politike e që nuk duhet të jetë hiq më shumë se 34%?
Duke e njohur mentalitetin antifetar të honxho-bonxhove të Shaqir Fetait, edhe në vazhdim do të ketë “iftare” të këtilla, sepse, instikti i tyre (që nuk dallon nga ai i bishave të uritura) tregon se, ky është momenti ideal kur mund të “lartësohet” Shaqir Fetai dhe kur ai mund të paraqitet si i dashur dhe i respektuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë!
Bukën ta hanë të gjithë, por kjo nuk do të thotë se kjo bukë ta siguron respektin dhe dashurinë e të gjithëve. Është vetëm një mashtrim optik që paguhet me paratë e fitrit dhe të zeqatit të myslimanëve të vendit! Asnjë prej myslimanëve të Maqedonisë së Veriut nuk jep para për t’ju paguar iftar për shumicën e fytyrave që shihen nëpër “evente” të tilla kryekëput bidat!