“Në rast refuzimi, duam ndarjen nga RMV”
Propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit mes Maqedonisëe së Veriut dhe Bullgarisë, kryeministri shqiptar e sheh si më të mirin e mundshëm. Për Edi Ramën nëse fqinji jonë lindor nuk do t’i hapte derën propozimit të Macronit ky do të ishte një gabim i madh.
“Instinkti dhe mendimi im modest më thotë që do ishte një gabim i madh mos ta pranoni. Do të ishte një gabim i madh sepse vendi mund të mbetet shumë mbrapa dhe askush nuk do ketë vullnetin të kthehet prapë dhe imagjinoni të mblidhni të gjitha vendet bashkë, prandaj mos e bëni, thjesht mos e bëni. Sigurisht 100 %. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë aspekt, por ndërkohë më duhet t’ju them se në këtë situatë liderët e BE-së nuk mund të bëjnë më shumë. Është një mekanizëm në vetvete që ka nevojë të ndryshojë. Ata kishin ngelur në kurth, ishin strucët e Bullgarisë si ne, por sigurisht për ne ishte një eksperiencë e dhimbshme të ishe peng”.
Por kryeministri shqiptar në intervistën për televizionin maqedonas Kanali 5 e bën të qartë që këshilla për kryeministrin Kovaçevski nuk ka lidhje me vendimin qeë do të marrë vendi ynë. Rama i përsërit se është i vendosur për të kërkuar ndarjen në procesin e vlerësimit për integrimin nëse Maqedonia e Veriut do të vendosë të mos pranojë propozimin e presidentit francez.
“Shqipëria tani e ka kapërcyer pikën ku mund të eci vetëm dhe sigurisht ne do të kërkojmë të ecim të ndarë nëse Maqedonia e Veriut nuk do e pranojë, por po them do e pranoj sepse nuk do ketë një propozim tjetër, është përfundimtari, dhe ju nuk keni pse të rrini dhe 17 vite të tjera përballë asaj dere. Ajo derë duhet të hapet dhe në një farë mënyre çdo gjë do të diskutohet, çdo pikë do kalojë në debat, çdo pyetje do marrë përgjigje në dialogun midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kështu që hapeni këtë derë, hapeni tani”.
Sa për çështjet që kërkojnë zgjidhje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Rama mendon se sa kohë ato janë çështje që i takojnë historisë nuk mund të zgjidhen nga politika që mund t’i përdorë për kalkulime elektorale të ditës.