Asnjë vendim me rëndësi nuk u mor në takimin e ministrave të Jashtëm në samitin e G20-s në Bali të premten (08.07.).
Vetëm një deklaratë përfundimtare, si gjithmonë pas takimit të ministrave të 19 vendeve më të rëndësishme të industrializuara dhe atyre në ekspansion. Lufta e Rusisë në Ukrainë u dënua qartë nga shtetet e G7-s. India, Kina dhe shtete të tjera në jugun global u rezervuan në kritikën e tyre ndaj Rusisë.
Mikpritësja e takimit, ministrja e Jashtme e Indonezisë, Retno Marsudi pas takimeve të punës gjatë së premtes, u shpreh, selufta në Ukrainë ka ndikime të forta në çmime dhe furnizimin me artikuj ushqimorë dhe energji në botë. Shumë pjesëmarrës në takim ishin të mendimit, se lufta duhet të marrë fund përmes negociatave. “Të paktën të gjithë anëtarët e G20-s u ulën në një sallë së bashku. Ne u përpoqëm për një atmosferë të mirë, që të krijohen ura dhe jo mure”, tha Marsudi para shtypit, por pyetje nuk u lejuan për median e akredituar.
Lavrov u largua nga salla
Rusinë ministrja e Jashtme indoneziane nuk e përmendi me asnjë fjalë. Ndërkohë që ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov mundi ta paraqiste qëndrimin rus për luftën sa të donte. Ai këmbënguli, se Rusia është duke “çliruar” rusët etnikë në Ukrainë dhe është duke e “denazifikuar” shtetin fqinj. Lavrov akuzoi perëndimin, se po e vënë nën presion Ukrainën të përdorë armët, me të cilat ata furnizojnë vendin. Nuk përshtatet me faktet në vend ta paraqesësh Rusinë si agresore apo pushtuese, pretendoi Lavrov. Fjalimin që mbajti ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, Lavrov as nuk e dëgjoi, por u largua demonstrativisht nga salla. Kur mikpritësja indoneze kërkoi fundin e luftës, Lavrov lexoi në letrat para tij dhe nuk e ngriti kokën.
Baerbock nuk sheh shans për dialog
Annalena Baerbock ashtu si vendet e tjera të G7-s bëri të qartë, se Rusia po zhvillon një luftë ilegale kundër Ukrainës dhe vret çdo ditë njerëz të pafajshëm. Lavrov nuk ishte prezent edhe në fjalën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe lidhjes me video me ministrin e Jashtmë ukrainas, Dmitro Kuleba. Blinken iu drejtua me fjalë të ashpra delegacionit rus. Në një kohë që brenda zhvillohej konferenca, minsitri i Jashtëm rus para hotelit të konferencës në Bali, shprehej se perëndimi nuk ka interes për dialog me Moskën. Nuk pati asnjë takim bilateral mes Lavrovit dhe shteteve të G7-s.
Lavrovi me një pamje të fyer tha se nuk do të rendte pas këtyre takimeve. Kurse ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock iu drejtua palës ruse se ajo nuk ka interes për “një dialog të arsyeshëm”. “Që ministri i Jashtëm rus një pjesë të madhe të bisedimeve nuk i ndoqi në sallë, por jashtë saj, tregon se nuk ka asnjë milimetër gatishmëri për bisedime nga qeveria ruse”, u shprehBaerbock në lidhje me sjelljen e homologut rus. Shtetet e G7-s kishin vendosur të merrnin pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s për të mos ia lënë vetëm Rusisë skenën diplomatike.
“Më pak gjeste diplomatike, më shumë punë bindëse”
Profesori John Kirton nga Universiteti i Torontos, i cili i ndjek prej vitesh samitet e G20-s, e sheh si të rëndësishme që aleatët perëndimorë ishin të përfaqësuar në Bali dhe nuk e bojkotuan atë, si takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në prill. “Efekti i largimit demonstrativ nga salla e negociatave po bëhet gjithnjë e më i vogël. Ky ishte si sinjal i qartë në takimin e ministrave të Financave në Uashington. Aty ishte një simbol i fortë, se u përdor për herë të parë pas luftës. Nëse ministrat e Jashtëm do kishin bërë të njëjtën gjë tani, efekti nuk do të ishte aq i madh, sepse ne i njohim ndërkohë ndjenjat që kanë ata për Rusinë.”
Eksperti i G20-s Kirton rekomandon më pak gjeste diplomatike dhe më shumë punë bindëse. “Shansi për të refuzuar narrativin e Lavrovit u përdor. Qëndrimi i G7-s për Ukrainën nuk pati ndonjë jehonë aq të madhe në jugun global si në veri. Takimi në Bali, në jugun global ofroi një shans për të formuluar qartë mesazhin.”
G20-me Putinin?
Ministrja e Jashtme indoneziane, Retno Marsudi pranoi, se lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj globale sunduan takimin në Bali. Takimi u errësua nga atentati ndaj ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe dhe dorëheqja e kryeministrit britanik, Boris Johnson si kryetar i partisë konservatore. As foto tradicionale të takimit nuk pati. Në samitin e krerëve të shteteve e qeverive të G20-s në nëntor, presidenti i Indonezisë ka ftuar si pushtetmbajtësin rus, Putin edhe presidentin ukrainas. Se kush do të vijë në Bali e kush do të jetë prezent vetëm me video nuk është e qartë.