Ende pa nisur mbledhja e grupit të punës për pastrimin e listave zgjedhore me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së, Peter Van Haute, janë paralajmëruar zhvillime të reja të befasishme
Fillimisht u bë e ditur se VMRO dhe BDI mbështesin metodologjinë e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për pastrimin e listave, ndërkaq tashmë ka deklarime në Facebook nga të dyja palët se definitivisht më 24 prill mbahen zgjedhjet e parakohshme.Ish-ministrja e brendshem, Gordana Jankullovska, në profilin e saj në Facebook ka bërë për hajr zgjedhjet e 24 prillit, duke uruar edhe një fitore historike për partinë e saj. Edhe deputeti i VMRO-së Ilija Dimovski, njëherit koordinator i kësaj partie në Parlament, ka reaguar në Facebook me një koment mjaftë të thjeshtë ‘Shkojmë’ që jep indikacione për zgjedhjet. Edhe komiteti i kësaj partie ka vendosur për mbajtje të zgjedhjeve më 24 prill sipas marrëveshjes së Përzhinos.
Nga ana tjetër edhe ministri Abdulaqim Ademi nga radhët e BDI-së poashtu ka shkruar në profilin e tij në Facebook për 24 prillin, duke thënë që kjo ditë sido që të jetë, do të jetë një ditë e madhe për Maqedoninë.
Të gjitha këto thashetheme se zgjedhjet do të mbahen përfundimisht më 24 prill i forcon edhe caktimi i befasishëm i seancës parlamentare sot për në ora 17, ku jozyrtarisht thuhet se do të votohet dorëheqja e Nikolla Gruevskit.
Ndërkaq, LSDM ka reaguar pas njoftimeve të këtilla. Ata thonë se vendimi i Komitetit ekzekuztiv i VMRO-së dëshmon se Nikolla Gruevski ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, ka frikë nga liria. LSDM edhe njëherë akuzon Gruevskin dhe VMRO-në se nuk dëshirojnë pastrim të listave zgjedhore që të kenë mundësi manipulimi të zgjedhjeve. Ata zotohen se do të luftojnë deri në fund për një Maqedoni të lirë dhe demokratike.