Ministri i Çështjeve të Migracionit ngriti akuza ndaj bllokut pasi po vepron me standarde të dyfishta për emigrantet
Greqia i ka kërkuar Bashkimit Evropian të heqë kufizimet e lëvizjes në zonën Schengen për refugjatët që u është njohur e drejta dhe kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi individuale nga shtetet anëtare.
Notis Mitarakis, ministri i çështjeve të migracionit të Greqisë, tha se “mungesa e solidaritetit” po pengonte përpjekjet për të reformuar në mënyrë gjithëpërfshirëse rregullat e emigracionit në të gjithë bllokun 27-vendesh.
Mitarakis ngriti akuza ndaj Bashkimit Europian pasi po zbaton një standard të dyfishtë për refugjatët. Ai përmendi ukrainasit që ikin nga lufta në krahasim me refugjatët e tjerë që vijnë nga zonat e konflikteve të tjera të armatosura.
“Kjo nuk është e drejtë dhe Greqia do të insistojë në këtë pike. Marrëveshja duhet të zbatohet për të gjithë refugjatët për sa kohë që ata njihen zyrtarisht. Fatkeqësisht, BE-ja në një moment vendosi që vendet e hyrjes nga hynin refugjatët do të përdoren si një parking për ata që duan të vijnë në Evropë. Mendojmë se Europa duhet të tregojë më shumë solidaritet për çështjen e refugjatëve dhe marrëveshja e Ukrainës sa i përket lëvizjes së lirë duhet të zbatohet për të gjithë refugjatët e njohur zyrtarisht”, është shprehur Notis Mitarakis.
Refugjatët të cilëve u është dhënë mbrojtje ndërkombëtare nga vendet e BE-së aktualisht nuk mund të përfitojnë plotësisht nga dispozitat e bllokut për lëvizjen e lirë. Ukrainasit që i shpëtojnë pushtimit rus të vendit të tyre përballen me më pak kufizime. BE-ja po përpiqet të kapërcejë ndarjet midis anëtarëve të saj mbi rregullat për vendosjen e refugjatëve dhe mbrojtjen e kufijve, por dëshiron që një pakt i ri migracioni të arrihet vitin e ardhshëm.
“Është e qartë se për ata që vijnë nga Siria, Afganistani, Somalia, Pakistani dhe Bangladeshi, Turqia është një vend i sigurt. Kushdo që vazhdon të përpiqet dhe të vijë në vendin tonë fatkeqësisht do të përballet me një kufizim legjislativ. Për fat të keq, kontrabandistët qënieve njerëzore ende po shesin bileta njerëzve nga këto vende”, është shprehur ai.
Mitarakis përshëndeti një propozim se refugjatëve mund t’u jepet lëvizje e lirë pas një periudhe pritjeje trevjeçare, por paralajmëroi se zhvendosja ka të ngjarë të mbetet një pikë e madhe pengese. Greqia ishte një pikë kyçe tranziti për qindra mijëra emigrantë dhe refugjatë që hynë në BE në 2015-16, shumë prej të cilëve u larguan nga luftërat në Irak dhe Siri. Që atëherë ajo ka ashpërsuar kufijtë e saj dhe ka ndërtuar një mur çeliku përgjatë kufirit të saj tokësor me Turqinë.