Punonjësit e zgjedhjeve në qarkun më të kontestuar të shtetit amerikan të Arizonës kanë marrë mbi 100 kërcënime të dhunshme dhe mesazhe frikësuese në prag të zgjedhjeve të mes mandatit të së martës. Shumica e kërcënimeve janë të bazuara në teoritë e konspiracionit zgjedhor të nxitura nga ish-presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij.
Kërcënimet në kontenë Maricopa përfshijnë email-e kërcënuese dhe postime në mediat sociale, kërcënime për të publikuar informacione personale në internet dhe fotografimin e punonjësve që mbërrijnë në punë.
Mes 11 korrikut dhe 22 gushtit, zyra e zgjedhjeve të qarkut dokumentoi të paktën 140 kërcënime dhe komunikime të tjera armiqësore, sipas të dhënave të mbledhura nga autoritete. “Ju të gjithë do të ekzekutoheni,” thuhet në një prej mesazheve kërcënuese. “Teli rreth gjymtyrëve të tyre të lidhur duke u tërhequr nga një makinë”, thuhet në mesazhin një tjetër.
Një nga politikanet e Arizonës që përhap teori konspirative dhe dhunë është republikania Kari Lake, e mbështetur nga ish-presidenti Trump. Fokus i fushatës së saj është bërë kufiri jugor me Meksikën.
Dokumentet e policisë zbulojnë pasojat e përhapjes së teorive konspirative zgjedhore. Shumë nga kërcënimet në kontenë Maricopa, të cilat ndihmuan në fitoren e ish presidentit Trump në vitin 2020, citojnë pretendime të pavërtetuara rreth fletëvotimeve të rreme, makinerive të manipuluara të votimit apo dhe zyrtarëve të korruptuar zgjedhorë.
Kërcënimet vijnë në sfondin e rritjes së shqetësimeve për rrezikun e dhunës politike, sidomos pas sulmit të 28 tetorit ndaj bashkëshortit të kryetares demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.