Sergei Lavrov i sëmurë për shkak të problemeve me zemrën?

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse përgënjeshtron lajmin me një video

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shtrua në spital për shkak të problemeve me zemrën vetëm disa orë pasi mbërriti në Indonezi për të marrë pjesë në samitin e G20, kështu njofton agjencia e lajmeve “Associated Press”, e cila citon zyrtarë indonezianë.

Por menjëherë pasi lajmi u bë i ditur nga mediat ndërkombëtare, Rusia i quajti të rreme lajmet për shtrimin në spital të Sergei Lavrov. Agjencia e lajmeve “Reuters” publikoi një deklaratë të përfaqësueses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, që e cilësoi informacionin për transferimin e tij në spital si lajm të rremë.

Konkretisht, Zakharova deklaroi se ne i lexojmë lajmet dhe nuk u besojmë syve.

Ajo ka postuar një video me ministrin e Jashtëm rus nga një hotel, duke dashur të japë një përgjigje në këtë mënyrë për mediat ndërkombëtare. “Zoti Lavrov, ka lajme se jeni në spital”, dëgjohet duke thënë Zakharova, ndërsa ministri i Jashtëm rus përgjigjet:

“Dhe zotit Putin i thuhet për 10 vite me radhë se është i sëmurë, kështu që nuk është asgjë e re në botën politike”.

Lavrov po merr pjesë në G20 në vend të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili vendosi të mos shkojë për shkak të luftës. Zyrtarisht, Kremlini thotë se Putini është “shumë i zënë” për të marrë pjesë, por analistët politikë në Rusi kanë spekuluar se ai ka frikë se mos poshtërohet ose vritet.

Leave a Reply