Një tjetër oligark rus ka vdekur në rrethana misterioze dhe mediat raportojnë se ai u rrëzua nga shkallët më 9 dhjetor në qytetin Antibes në rivierën franceze.
Pesëdhjetë vjeçari Dmitri Zelenov kishte dalë për darkë me disa miq kur filloi të ndihej keq. Pas kësaj, ai dyshohet se ra nga shkallët dhe pësoi lëndime fatale në kokë, sipas gazetës ruse të lajmeve Baza dhe gazetës lokale franceze Var Matin.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin dhe vdekja e tij u konfirmua nga prokurori në komunën e Grasse të nesërmen. Sipas kanalit Telegram të Baza, Zelenov ishte duke iu nënshtruar një operacioni për probleme në zemër disa javë para vdekjes së tij, megjithëse nuk u publikuan informacione të mëtejshme.
Zelenov ishte një bashkëthemelues i Don-Stroy, dikur një nga perandoritë më të rëndësishme të Moskës për investime dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme, të cilën ai e themeloi në 1994. Ai u shfaq rregullisht në listën e Forbes të rusëve më të pasur deri në vitin 2008, kur Don-Story pësoi humbje të konsiderueshme financiare për shkak të krizës financiare.
Rrethanat e vdekjes së magnatit të pasurive të paluajtshme janë jashtëzakonisht të ngjashme me ato të Anatoly Gerashchenko, ish-kreu i Institutit të Aviacionit të Moskës, i cili vdiq pasi dyshohet se ra nga shkallët në selinë e institutit në Moskë në shtator.