Rusia kryen sulme brutale me dronë në Kiev
Presidenti rus, Vladimir Putin, do të udhëtojë në Bjellorusi ku do të takojë homologun e tij bjellorus Aleaksandr Lukashenko, mes spekulimeve se ai mund të përpiqet t’i bëjë presion Minskut që t’i bashkohet luftës në Ukrainë.
Bjellorusia një nga aleatët më të afërt të Rusisë lejoi që territori i saj të përdorej si pikënisje për pushtimin e Ukrainës nga Moska në shkurt,por deri më tani nuk është bashkuar drejtpërdrejt në luftë.
Putin e ka përshkruar vizitën e tij në më shumë se 3 vite si një vizitë pune dhe pritet të zhvillojë bisedime kokë më kokë me kreun e shtetit bjellorus.
Lukashenko ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të dërgojë trupat e tij ushtarake në Ukrainë por zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar prej muajsh se Bjellorusia mund të shërbejë si bazë për një sulm tokësor në Kiev. Megjithatë duket se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski është i përgatitur për çdo skenar përfshirë edhe atë të një sulmi të mundshëm që vjen nga territori bjellorus.
Ndërkohë,sipas autoriteteve ukrainase sulmet ajrore ruse kanë goditur infrastrukturën kritike brenda dhe rreth Kievit. Sistemet e mbrojtjes ajrore mundën të shkatërrojnë rreth 15 nga 20 dronë të drejtuar në kryeqytet.
Si pasojë disa banesa u dëmtuan ndërsa raportohet se aktualisht nuk ka viktima apo të plagosur nga sulmet në kryeqytet.
Megjithëse Kievi duket se ka qenë objektivi kryesor i sulmeve të fundit ruse,forcat ruse nuk kanë kursye as qytetet të tjera. Bombardimet ruse kanë vazhduar në rajonin e Kharkiv në verilindje të Ukrainës ku si pasojë 1 person ka mbetur i plagosur.