Parashikime pesimiste për ekonominë gjermane

Përfaqësuesit e shoqatave industriale janë kryesisht ata që janë të shqetësuar më së shumti për vitin e ardhshëm. Sidomos në sektorët ku prodhimi kërkon shumë gaz dhe energji të shtrenjta, siç është prodhimi i betonit. Industria kimike dhe industria e çelikut kanë po ashtu frikë nga një rënie e konsiderueshme e prodhimit. Humbje priten edhe nga kompanitë që merren me zanate, nga industria e ndërtimit dhe një pjesë e madhe e sektorit financiar dhe imobiliar. Kohët e fundit po ndërtohet më pak, normat e interesit të bankave për kredi po rriten, materialet për ndërtim po shtrenjtohen.

“Prodhimi pak më i dobët pritet në industrinë mekanike dhe elektronike”, thuhet në analizat e Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW). Aty pritet një rënie më e moderuar e prodhimit për shkak të numrit të madh të kontratave të lidhura më parë, si dhe për shkak të investimeve që lidhen me dixhitalizimin dhe dekarbonizimin, të cilat kanë një efekt afatgjatë.

Parashikimet optimiste

Nga ana tjetër, pritshmëritë janë pozitive në industrinë e panaireve dhe marketingut. Në përgjithësi nuk ka më kufizime të shkaktuara nga pandemia e koronës. Edhe në turizëm, kompanitë shpresojnë të rikuperojnë humbjet. Kjo vlen edhe për industrinë e automjeteve, e cila në tre vitet e fundit, për shkak të pandemisë dhe problemeve globale me furnizuesit, ka prodhuar shumë nën kapacitetin e saj.

Megjithatë, një faktor i rëndësishëm rreziku e prish disponimin edhe mes optimistëve: “Pasojat e luftës në Ukrainë janë ende një sprovë e madhe për ekonominë gjermane,” thotë eksperti i Institutit Michael Grömling. “Kompanitë nuk llogarisin në faktin se çmimet e larta të energjisë do të bien në të ardhmen e shpejtë.” Kjo dobëson shumë perspektivat për vitin e ardhshëm”.

Lufta në Ukrainë – rrezik i paparashikueshëm

Në fund të vitit 2021, shumë shoqata të sektoreve të ndryshme vlerësuan se periudha më e vështirë kishte kaluar. Pasojat e pandemisë ishin më pak të dukshme, ndërsa mungesa e çipave dhe pjesëve tjera elektronike besohej të ishte vetëm një problem i përkohshëm.

Por agresioni i Rusisë në Ukrainë e ndryshoi situatën. Çmimet e energjisë kanë arritur vlera rekord, inflacioni nuk ka qenë kaq i lartë prej dekadash, ndërsa disponimi në ekonominë gjermane është jo i mirë, sipas hulumtimit të Institutit të Ekonomisë Gjermane.

Prodhimi po ulet, por jo edhe investimet

Nga gjithsej 49 shoqata në sektore të ndryshme, të anketuara nga mesi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit 2022, 39 prej tyre vlerësuan se situata aktuale është më e keqe se një vit më parë. Tridhjetë prej tyre janë pesimistë për vitin e ardhshëm 2023 dhe besojnë në uljen e prodhimit, ndërsa 13 planifikojnë të prodhojnë më shumë.

Por rezultatet e sondazhit nuk tregojnë të ketë ndënjë rënie të investimeve në Gjermani. Vetëm tetë shoqata presin investime më të mëdha në vitin e ardhshëm. Por 22 shoqata – kryesisht në sektorin e shërbimeve, që sipas Institutit përbën rreth 70 për qind të prodhimit të përgjithshëm ekonomik në Gjermani – supozojnë se investimet do të mbeten të njëjta. Investime më të ulëta priten nga 17 shoqata.

Tregu i punës

Për sa i përket tregut të punës, perspektiva e zymtë e prodhimit nuk reflekton aq negativisht në planet e punësimit. Vetëm 16 shoqata të degëve të ndryshme ekonomike presin të kenë më pak punonjës në sektorët e tyre në vitin e ardhshëm. 23 shoqata mendojnë se situata do të mbetet e njëjtë, ndërsa në nëntë sektorë si aviacioni, hoteleria dhe turizmi, pritet ulje e numrit të të punësuarve.

Sipas Institutit, stabiliteti i dukshëm në tregun gjerman të punës është shumë i rëndësishëm për ekonominë. Kjo sjell optimizëm kur bëhet fjalë për të ardhurat e familjeve private. Pavarësisht inflacionit të lartë, ai ka një efekt stabilizues edhe në konsumin privat. /DW

Leave a Reply