Përmbytje edhe në Lezhë e Durrës. Probleme me furnizimin me energji
Reshjet e shiut të shoqëruara edhe me breshër e borë kanë përfshirë thuajse gjithë vendin.
Për pasojë në Shkodër 1 mijë hektarë tokë është e përmbytur.
Sipas autoriteteve vendore e gjithë zona e përmbytur i përket njësisë administrative Ana e Malit.
Për pasojë rruga e Obotit në këtë njësi është e kalueshme vetëm nga mjetet e larta, fshati Obot ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.
Problematike mbetet situata edhe në zonat malore të këtij qarku, ku shirat me intensitet të lartë kanë sjellë rëshqitje gurësh dhe dherash në disa akse rrugore.
Për shkak të orteqeve të dëborës Aksi Bogë – Theth është i bllokuar.
Reshjet intensive të shiut me breshër të shoqëruara edhe me erë të fortë kanë sjellë probleme edhe në qarkun e Lezhës.
Uji doli në rrugët e qytetit të Lezhës dhe Shëngjinit, duke vështirësuar kalimin.
Në superstradën Mamurras –Lezhë breshëri vështirësoi lëvizjen e mjeteve.
Kjo ka bërë që shkollat në shumicën e fshatrave të Lezhës të mos zhvillojnë mësim. Me një situatë të vështirë u përball edhe Durrësi.
Reshjet e shiut që nisën në mëngjes shkaktuan permbytje në disa pjesë të qytetit të Durresit, në mënyrë të veçantë në lagjen 17 dhe 18.
Reshjet intensive dhe bresheri përfshiu edhe kryeqytetin, por pa shkaktuar probleme.
SItuata e krijuar në vend ka bërë që dhjetëra fshatra të qarkut Lezhë, Shkodër, Korçë dhe Vlorë të mbesin pa energji elektrike. Për riparimin e dëmeve në linjat elektrike grupet e punës janë në terren.
Kushtet e pafavorshme kanë përfshirë edhe bregdetin Adriatik, disa linja tragetesh në Durrës janë nisur me vonëse.
Mjetet e vogla lundruese vazhdojnë të jenë të pezulluara në Durrës dhe Vlorë.