Çështja e tankeve, takohen krerët e Mbrojtjes të SHBA-së dhe Gjermanisë
Aleatët perëndimorë premtuan armatime të reja me vlerë miliarda dollarë për Ukrainën të enjten, por pyetja që mbetet ende pa përgjigje është nëse do të dërgojnë gjithashtu tanke të prodhimit gjerman, pasi Berlini ende nuk ka sinjalizuar nëse do të heqë veton.
Nga frika se dimri do t’u japë kohë forcave ruse për t’u rigrupuar dhe për të lëshuar një sulm të madh në pranverë, Ukraina po kërkon me ngulm tanke luftarake Leopard, të cilat ndodhen me shumicë në një sërë vendesh të NATO-s, por transferimi i tyre në Ukrainë kërkon miratimin e Gjermanisë.
Një burim i qeverisë gjermane tha se Berlini do të heqë veton nëse Uashingtoni dërgon tanket e veta Abrams.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe ministri i ri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius u takuan në Berlin. Pistorius dhe Austin folën të dy për rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës përpara takimit të tyre, por asnjëri nuk trajtoi drejtpërdrejt çështjen e tankeve. Austin e përshkroi Gjermaninë si një nga aleatët më të ngushtë të Uashingtonit dhe e falënderoi për mbështetjen e deritanishme për Ukrainën.
Polonia dhe Finlanda kanë thënë tashmë se do të dërgojnë “Leopardë” nëse Gjermania heq veton e saj. Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki tha më herët të enjten se miratimi gjerman për tanket është çështje dytësore, duke sinjalizuar dërgimin e tyre edhe pa lejen e Berlinit.
Takimi i Ramstein-it është një shans për Perëndimin për t’i dhënë Ukrainës atë që i nevojitet për të mposhtur Rusinë në vitin 2023 dhe një grup prej 11 vendesh të NATO-s kanë njoftuar tashmë qindra automjete të blinduara dhe mbrojtje ajrore për Ukrainën. Por Kievi thotë se i duhen tanke të rënda për të shmangur sulmet ruse dhe për të rimarrë territoret e pushtuara. Një prej këtyre vendeve është Estonia, që njoftoi një pako ndihmash ushtarake me vlerë sa 1% e GDP-së së vet. Apo Danimarka që premtoi të dërgojë të gjithë topat obusë të modelit Cesar.
Rusia i është përgjigjur dërgimit të armëve në Ukrainë me kërcënime për përshkallëzim. Dmitry Medvedev, një aleat i Presidentit Vladimir Putin, tha se “humbja e një fuqie bërthamore në një luftë konvencionale mund të shkaktojë një luftë bërthamore.”