Aktori ishte në Kiev për të xhiruar dokumentarin në fund të Shkurtit 2022
Premiera e dokumentarit të aktorit amerikan Sean Penn, “Superpoëer”, i cili u xhirua në Ukrainë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Berlin gjatë muajit të ardhshëm.
“Më shumë se një dokumentar, “Superpower” është kronika e një projekti filmik që realiteti e detyroi ta ndryshojë në diçka më pak të kontrollueshme, por më kuptimplotë”, thuhet në një deklaratë të festivalit.
Aktori dhe regjisori amerikan, fitues i çmimit Oscar, ishte në kryeqytetin ukrainas në shkurt 2022, ndërsa Rusia nisi sulmin e saj në shkallë të gjerë.
“Presidenti Zelensky dhe populli ukrainas janë ngritur si simbole historike të guximit dhe parimit,” tha Penn kur shpërtheu lufta.
Organizatorët thanë se Berlinale do t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtë vit luftës në Ukrainë dhe protestave në Iran.
Berlinale, e cila zhvillohet nga 16 deri në 26 Shkurt, është një nga festivalet kryesore të filmit në botë, krahas atyre të Kanës dhe Venecias.