Sunak shkarkon kryetarin e Partisë së tij Konservatore

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka shkarkuar kryetarin e Partisë Konservatore, Nadhim Zahawi, i cili është edhe ministër pa portofol, pasi një hetim për trajtimin e çështjeve tatimore zbuloi shkelje serioze të rregullave të kodit ministror.

“Pas përfundimit të hetimit të Këshilltarit të Pavarur gjetjet e të cilave ai i ka ndarë me ne të dy është e qartë se ka pasur një shkelje të rëndë të Kodit të Ministrisë,” tha Sunak në një letër drejtuar Zahawi.

“Si rezultat, ju kam njoftuar për vendimin tim për t’ju larguar nga posti juaj në qeverinë e Madhërisë së Tij, Charles III”, vijon më tej letra.

Kryeministri kishte urdhëruar një hetim për Zahawin nga Laurie Magnus, këshilltari i tij i pavarur për interesat e ministrave, pas raportimeve se kryetari i partisë qeverisëse  kishte paguar një gjobë si pjesë e një mosmarrëveshjeje me Zyrën e Taksave.

Zahawi fillimisht i quajti lajmet e mediave në lidhje me çështjet e tij tatimore “njollosje”, por pranoi javën e kaluar se kishte paguar një gjobë ndaj autoriteteve si pjesë e mosmarrëveshjes. The Guardian raportoi një faturë tatimore të vlerësuar prej rreth 5 milionë paund. Në Britani, gjobat aplikohen nëse një person nuk paguan taksat në kohën caktuar.

Largimi i tij vjen pasi Sunak, ishte zotuar për integritet, profesionalizëm dhe llogaridhënie në çdo nivel të qeverisë së tij me marrjen e postin si kryeministër i Britanisë së Madhe.

Leave a Reply