Sipas ish-zevëndëspresidentit amerikan, dëshmia e tij në Gjykatën e Lartë është jokushtetuese dhe e paprecedentë
Ish-zëvendëspresidenti, Mike Pence ka deklaruar se do të kundërshtojë thirrjen e këshilltarit të posaçëm Jack Smith lidhur me ngjarjet e 6 Janarit që do ta detyronte atë të dëshmonte përpara një jurie të madhe.
Prokurori i posaçëm, Jack Smith, i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë, po heton përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Në 6 Janar 2021, ditën kur ndodhi sulmi në Kongres, ish-presidenti amerikan Donald Trump i ushtroi presion Pence që të përmbyste rezultatin, por ky i fundit nuk kishte kompetenca për ta bërë.
“Së pari më lejoni të jem i qartë: Unë do ta kundërshtoj thirrjen e Departamentit të Drejtësisë që të paraqitem para jurisë së madhe sepse besoj se është jokushtetuese dhe e paprecedentë,” u tha Pence gazetarëve në Ajova, shteti ku mbahen garat e para brenda partisë për zgjedhjet e vitit 2024.
Gjatë fjalimit të tij, ai u shpreh se asnjëherë më parë në historinë e SHBA-së nuk është thirrur për të dëshmuar asnjë një nënpresident në gjykatë kundër presidentit me të cilin ka shërbyer. Edhe nëse Smith do të pyeste Pence në lidhje me përgjigjet e tij ndaj kërkesave të Trump që ai të përmbyste rezulatin e zgjedhjeve, vetë ish nënpresidenti amerikan ka pranuar se nuk kishte asnjë “akt ligjor” ta bënte këtë gjë.
Reagimi shënon një kthesë për Pence, i cili pritet të kandidojë për postin e presidentit. Ky qëndrim përfaqëson një goditje ndaj Departamentit të Drejtësisë, që është vënë gjithnjë e më shumë në shënjestër nga konservatorët, pjesërisht për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj Trump.
Ndërkaq, Juritë e Mëdha në Uashington kanë dëgjuar dëshmi gjatë muajve të fundit për të dy hetimet nga shumë ish-zyrtarë të lartë të administratës Trump. Muajin e kaluar, Garland emëroi një këshilltar special të veçantë, Robert Hur, për të hetuar ruajtjen e dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë dhe ish-zyrën e presidentit Biden. Në fund të Janarit, Pence tha se nuk ishte në dijeni edhe pse ai merr përgjegjësinë e plotë pasi disa prej dokumenteve të klasifikuara u gjetën në shtëpinë e tij në Indiana.