Sekretari amerikan do të vizitojë bazën ajrore Incirlik në Turqi për të parë përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar autoritetet turke
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të nisë një tur në Europë kryesisht në Gjermani, Turqi dhe Greqi përpara përvjetorit të 24 Shkurtit të pushtimit rus në Ukrainë, dhe ndërsa Turqia vazhdon operacionet e saj të shpëtimit pas tërmeteve të fuqishme që sollën shkatërrime javën e kaluar.
Blinken ditën e nesërme do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih që fillon këtë të premte. Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg dhe diplomati i lartë kinez Ëang Yi do të jenë mes atyre në mbledhjen vjetore treditore.
Në Mynih, Blinken do të marrë pjesë në një seri takimesh për të diskutuar mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe ndihmën për Turqinë dhe popullin sirian pas tërmeteve të fuqishëm, tha në një deklaratë Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërsa Ukraina përgatitet për një ofensivë të re të madhe nga Rusia, udhëheqësit perëndimorë në mbledhje ka të ngjarë të rinovojnë angazhimin e tyre për të mbështetur Kievin.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë për një paketë të madhe ndihme sigurie që do të shpallet në përvjetorin e nisjes së agresionit si dhe gjithashtu mund të pritet edhe një paketë e re e sanksioneve që synon Rusinë dhe përfaqësuesit e saj. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se nuk ka asnjë tregues se presidenti rus Vladimir Putin është serioz për bisedimet diplomatike, por SHBA do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi ekonominë ruse për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e negociatave.
Sekretari Blinken do të vizitojë bazën ajrore Incirlik në Turqi më 19 Shkurt për të parë nga afër përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar autoritetet turke. Takimet e kryediplomatit amerikan në Ankara pasojnë një vizitë në Uashington nga Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu më 18 Janar. Disa analistë dhe ish-zyrtarë amerikanë thonë se drita jeshile e SHBA ndaj kërkesës së Turqisë për avionë F-16 do të varej nga dy çështje që Turqia të mos bllokojë pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe të mos ketë operacion ushtarak në Sirinë veriore.
Sekretari amerikan do të ndalet edhe në Greqi ku do të zhvillojë një dialog strategjik me zyrtarë të lartë në Athinë. Në Athinë, Blinken do të takohet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ministrin e Jashtëm Nikos Dendias dhe liderin e opozitës Alexis Tsipras për të diskutuar bashkëpunimin në mbrojtje, sigurinë energjetike dhe angazhimin e përbashkët për të mbrojtur demokracinë.