Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar homologun kinez Wang Yi se do të përballen me pasoja të rënda nëse Pekini i ofron mbështetje materiale Rusisë në pushtimin e Ukrainës, kanë bërë të ditur diplomatët amerikanë.
Shefat e diplomacisë së dy vendeve diskutuan në një vend lokacion të fshehtë në Munchen, kurse State Departamenti ka konfirmuar takimin që ka zgjatur një orë, transmeton Telegrafi.
Marrëdhëniet e Pekinit dhe Washingtonit janë tensionuar më shumë që kur një balonë spiune kineze fluturoi mbi hapësirën ajrore amerikane, kurse aeroplanët luftarakë amerikanë me urdhër të presidentit Joe Biden e rrëzuan.
Të njëjtën kohë, Perëndimi me kujdes po analizon përgjigjen e Pekinit për luftën në Ukrainë. Washingtoni ka informacione që Kina mund t’i ofrojë ndihmë ushtarak Rusisë.
“Sekretari amerikan haptazi e ka paralajmëruar për pasojat, nëse Kina i ofron ndihmë materiale Rusisë apo e ndihmon në shmangien e sanksioneve”, tha një zyrtar i lartë i State Departamentit që deshi të mbetet anonim.
Ai shtoi se Kina po tenton të ulet në dy karrige, duke pretenduar se dëshiron t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit, por të njëjtën kohë që ndërmarr “hapa brengosës” me qëllim ta mbështetë pushtimin rus në Ukrainë.
Wang disa orë më herë në konferencën për siguri në Munchen, ka bërë thirrje edhe një herë për dialog dhe i sugjeroi vendeve evropiane se si duhet dhënë fund kësaj lufte.
Blinken dhe Wang u takuan pasi që shefi i diplomacisë kineze, tha se Shtetet e Bashkuara në “mënyrë histerike” reaguan ndaj incidentit me balonën kineze, duke “shkelur rregullat ndërkombëtare”.