Putin: Luftën në Ukrainë e nisi NATO për të shkatërruar Rusinë
Rusia pezullon pjesëmarrjen në marrëveshjen New Start me Shtetet e Bashkuara për kufizimin e arsenalit bërthamor, siç njoftoi presidenti rus Vladimir Putin në fjalimin e përvitshëm mbi Gjendjen e Federatës.
“Në fillim të këtij muaji, NATO na kërkoi duke u bazuar tek kjo marrëveshje të lejonim inspektimin e tyre të objekteve tona të mbrojtjes bërthamore. Ne dimë që Kievi përmes specialistëve të NATO-s bombardoi me dronë bazat tona strategjike ajrore. Dhe tani duan të dinë ku kemi bazat bërthamore”.
Moska nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, nëse konflikti ukrainas kërcënon territorin rus. Vendimi alarmoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili i bëri thirrje Putinit rishikojë menjëherë vendimin, që përbën përshkallëzim të tensioneve të krizës së Ukrainës. Megjithatë, për Putinin nxitës i luftës në Ukrainë është perëndimi që siç tha, po e armatoste këtë vend që para se Rusia të niste sulmin, 24 Shkurtin e kaluar.
“I kujtojmë përpjekjet e regjimit të Kievit për të marrë armë bërthamore. SHBA dhe NATO dërguan bazat ushtarake dhe biolaboratorët e tyre pranë kufijve tanë. Përgatitën regjimin e Kievit për të skllavëruar Ukrainën për një luftë të madhe”.
Putin tha se ekonomia ruse i mbijetoi shumë mirë sanksioneve perëndimore, ndërsa tregoi se strategjia e re kombëtare është thellimi i bashkëpunimit me Kinën dhe vendet e tjera të Azisë.