Ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë edhe përreth qytetit ukrainas Vulhedar, forcat ukrainase po përdorin me sukses dronët e tyre për të goditur mjetet fluturuese ruse. Me ardhjen e pranverës, të dyja palët pritet që të rrisin përdorimin e dronëve dhe mjeteve të tjera pa pilot në zonat ku zhvillohen luftimet.
Në frontin e luftës në Ukrainë, pranë qytetit juglindor Vuhledar, forcat ukrainase po përdorin gjithnjë e më shumë dronët. Ushtarët ukrainas thonë se funksioni parësor i dronëve është për qëllime zbulimi.
“Kështu bëhen operacionet e zbulimit në shekullin 21. Krahasuar me vitin 2014, tani nuk na duhet më të krijojmë njësi zbulimi për t’i dërguar drejt armikut. Tani thjesht nisim një dron dhe personi që e komandon atë qëndron në një vend të sigurtë”.
Ushtari Danylo, që nuk jep mbiemrin e tij për arsye sigurie, nis rregullisht dronë zbulimi për brigadën e tankeve që lufton pranë qytetit Vuhledar. Ai tregon madje se si rrëzon dronët rusë duke përdorur dronin e tij.
“Pikasëm një dron të armikut dhe na u dha urdhëri që ta rrëzonim me të gjitha mjetet e mundshme… Nisëm dronin tonë drejt dronit të tyre dhe u befasuam kur ai filloi të lëvizë drejt dronit tonë”, thotë ai.
Njësia e tij ka publikuar pamjet ku droni duket se lëshon një predhë dhe pastaj përplaset disa herë me një dron tjetër mbi zonën e luftimeve.
“E veçanta është se droni mund të mbartë edhe ngarkesa, apo armatim… Droni ynë p.sh. mund të mbajë ngarkesë deri në një kilogram e gjysëm”, thotë një ushtar ukrainas.
I pyetur se si mund të ndryshojë vija e frontit pranë Vuhledarit me ardhjen e pranverës, ushtari Danylo thotë se do të ketë përdorim më të madh të dronëve nga të dyja palët.
“Me pranverën vjen edhe moti i mirë, qiejt e pastër… Kjo do të thotë më shumë hapësira për dronët dhe paisjet e tjera fluturuese, prandaj do të shohim gjithnjë e më shumë nga këto”, thotë ai.
Forcat ukrainase dhe ato ruse kanë vënë gjerësisht në përdorim dronët gjatë gjithë luftës, për qëllime zbulimi, si dhe për të goditur objektivat e armikut./voa