Miliarderi filantrop Bill Gates mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të japin një shembull më të mirë e të pranojnë më shumë refugjatë se deri tani.
Duke folur nga Forumi Botëror i Ekonomisë në Davos, Gates kujtoi se vendi i tij e ka kapacitetin të ndjekë shembullin e Gjermanise e Suedise, dy vende që siç tha, duhen lavdëruar për qëndrimin ndaj emigrantëve.
Gates e pranoi sidoqoftë se zbutja e ligjeve të emigracionit nuk është dhe aq e lehtë, e përmendi problemet e buxhetit. Por, çështja, sipas tij, në masën më të madhe të saj është politike. “Amerika mund të pranojë më shumë refugjatë, duhet ta ketë kapacitetin për ta bërë një gjë të tillë. Nuk është se numri total i tyre përbën ndonjë rekord botëror. Ndjeshmëria politike mbi refugjatët dhe ngërçet buxhetore janë ato që e bëjnë kaq të madhe këtë çështje”, tha Gates.
Drejtuesi i fondacionit më të madh të bamirësisë në botë, ndan bindjen se zhvillimi ekonomik do ta frenonte dallgen e emigracionit nga disa vende të caktuara. Ai citoi me këtë rast Etiopinë, që dikur ka qenë burim refugjatësh, por sot e kontrollon këtë fenomen më mirë se çdo shtet tjetër afrikan. Një kthesë tillë, siç shpjegon Gates, i detyrohet pjesërisht investimeve të huaja në bujqësinë e këtij vendi dhe politikave të frytshme të qeverisë së tij që sollën një rritje drastike të prodhimtarisë ushqimore me mbi 50% në këto 5 vitet e fundit. Me këtë shembull, miliarderi amerikan iu referua atyre qe i largohen varfërisë në Afrikë./ Top Channel