Autoritetet ruse mund të kenë mbyllur gazetën e tij, por gazetari rus Dmitry Muratov nuk pranon që të heshtë.
Në një intervistë për BBC News, gazetari Muratov fitues i Çmimit Nobel për Paqe është shumë i shqetësuar se sa larg mund të shkojë Kremlini në përballjen me Perëndimin.
“Dy breza kanë jetuar pa kërcënimin e luftës bërthamore, por kjo periudhë ka mbaruar. A do ta shtypë Putini butonin bërthamor apo jo? Kush e di? Askush nuk e di këtë. Nuk ka asnjë person të vetëm që të japë siguri në lidhje me këtë çështje”, thotë gazetari për BBC News.
Qëkur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në Shkurt 2022, goditjet e Moskës kanë qenë të shpeshta.
Pak ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi planet për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi. Më pas, një nga ndihmësit e tij më të afërt, Nikolai Patrushev, paralajmëroi se Rusia kishte një “armë unike moderne të aftë për të shkatërruar çdo armik, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.
A është ky vetëm bllof për të shkaktuar rrëmujë? Apo një kërcënim që duhet marrë seriozisht? Gazetari Marov ka gjetur shenja shqetësuese në Rusi.
“Ne shohim se si propaganda shtetërore po i përgatit njerëzit të mendojnë se lufta bërthamore nuk është një gjë e keqe. Në kanalet televizive këtu, lufta bërthamore dhe armët bërthamore promovohen sikur reklamojnë ushqim për kafshët shtëpiake. Ata njoftojnë: “Ne kemi këtë raketë, atë raketë, një lloj tjetër rakete”. Ata flasin për shënjestrimin e Britanisë dhe Francës; për ndezjen e një cunami bërthamor që fshin Amerikën. Pse e thonë këtë? Që njerëzit këtu të jenë gati”, tregon gazetari.
Vitin e kaluar Muratov nxori në ankand çmimin e tij Nobel për Paqen për të mbledhur para për fëmijët refugjatë ukrainas. Ai ka pak optimizëm për të ardhmen.