Dëmet materiale janë të pallogaritshme, Biden shpall gjendjen katastrofale në Arkansas
Ka shkuar në 33 numri i viktimave nga tornadot shkatërruese që goditën SHBA-në. Presidenti i SHBA Joe Biden shpalli gjendjen e katastrofës në Arkansas të Dielën ndërsa urdhëroi edhe një fond të posaçëm për të ndihmuar të prekurit. Në një deklaratë të lëshur, Biden tha se ai dhe gruaja e tij Jill po luteshin për personat e prekur.
Në rajonet e goditura nga tornadot , shtëpitë dhe bizneset u shkatërruan, ndërsa dëme të mëdha u shkaktuan edhe në shtyllat elektrike.
Jane Smith, banore e qytetit Wynne në Arkansas thotë se ka humbur pothuajse gjithçka.
“Ky është një pyll i mrekullueshëm dhe këtu ndodhej shtëpia jonë, por tashmë ajo është zhdukur.”
Pavarsisht se humbi shtëpinë ajo është mirënjohëse që familja e saj mbijetoi.
“Ne u strehuam në bodrum. Nuk e kisha idenë se po shkaktonte kaq shumë dëme. Gjithçka ndodhi shumë shpejt.”
Sakaq, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit ka patur më shumë se 60 tornado gjatë 24 orëve të fundit në një zonë të gjerë që mbulon tetë shtete, duke përfshirë shtetet Arkansas, Mississippi, Iowa, Tennessee, Illinois dhe Wisconsin.