Aeroplanë luftarakë britanikë Typhoon kanë interceptuar dy aeroplanë luftarakë rusë si dhe një aeroplan spiun të Moskës, që fluturonte afër hapësirës ajrore të NATO-s mbi Detin Baltik.
Në interceptimin e tre aeroplanëve rusë mbi Gjirin e Finlandës, morën pjesë pilotët e Forcave Ajrore Mbretërore britanike (RAF) dhe Forcave Ajrore gjermane, transmeton Telegrafi.
Forcat ajrore britanike kanë njoftuar se një nga aeroplanët rusë është identifikuar si një aeroplan spiun që fluturoi nga Rusia në enklavën e Kaliningradit, e cila ndodhet afër Polonisë.
Atje ai u prit nga dy aeroplanë luftarakë rusë, të cilët fluturuan në jug me të përmes zonës veriperëndimore të zonës së fluturimit të Estonisë. Forcat britanike dhe ato gjermane përcollën aeroplanët rusë përpara se t’i dorëzonin misionin forcave ajrore suedeze.
“Ne shpesh shohim aeroplanë ushtarakë rusë që fluturojnë mbi Detin Baltik, kështu që ky ishte një interceptim rutinë për ne. Pavarësisht kësaj, rëndësia e interceptimit të këtyre aeroplanëve dhe angazhimi ynë për mbrojtjen kolektive të hapësirës ajrore të NATO-s, mbetet i palëkundur dhe i vendosur”, u tha nga forcat ajrore britanike.