Oslo e shqetësuar për incidentin, kërkon shpjegime nga Stokholmi
Një raketë kërkimore e lëshuar nga Suedia veriore u rrëzua në një shpat mali në veriun e largët të Norvegjisë, në një zonë të pabanuar ka rritur tensionet mes dy vendeve.
Ministria e Jashtme norvegjeze reagoi e irrituar per incidentin dhe akuzoi Suedinë se nuk e informoi. Korporata Suedeze e Hapësirës e cila zotëron dhe drejton qendrën ka kërkuar falje dhe po heton ngjarjen.
“Përplasja e një rakete si kjo është një incident shumë serioz që mund të shkaktojë dëme serioze”, tha Ministria e Jashtme në Oslo. Ministria nuk mori njoftim zyrtar dhe kur një incident si ky ndodh përtej kufirit, është e rëndësishme që përgjegjësit të informojnë menjëherë autoritetet norvegjeze përmes kanaleve të duhura”, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme Ragnhild Simenstad.
Raketa arriti një lartësi prej 250 km dhe më pas u ul rreth 40 km në veri-perëndim të territorit norvegjez për shkak të një mosfunksionimi. Si pasojë e rrëzimit nuk është raportuar për të lënduar apo dëme materiale.
Raketa, e njohur si Texus-58, është pjesë e një programi evropian të porositur nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.
Studiuesit janë shprehur se ata shpresojnë se eksperimentet e kryera nga raketa do të kontribuojnë në kalimin nga karburantet fosile në teknologjinë e energjisë së gjelbër.