Masakër në një shkollë në Beograd, 8 fëmijë të vrarë

Ekzekutohet edhe roja, arrestohet autori 14-vjeçar

Një masakër në një shkollë 9-vjeçare tronditi Beogradin, mëngjesin e kësaj të mërkure. Një 13-vjeçar, nxënës në klasën e shtatë të kësaj shkolle vrau me armë 8 shokë dhe shoqe të klasës dhe rojen e shkollës.

Plagosi po ashtu mësuesen dhe 6 nxënës të tjerë. Më pas, siç sqaruan zyrtarët e lartë të policisë serbe, autori njoftoi policinë dhe e priti në oborrin e shkollës ku iu vunë prangat dhe e shoqëruan, teksa mbante xhupin e tij mbi kokë, për t’i fshehur fytyrën kamerave.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 8:40 në shkollën 9-vjeçare Vladisllav Ribnikar, në lagjen qëndrore Vraçar. 13-vjeçari, i identifikuar si Kosta Kecmanoviç, qëlloi mbi mësuesen, e cila nga plagët e marra ndodhet në spital në rrezik për jetën. Breshërinë e plumbave ua drejtoi më pas nxënësve të klasës dhe kur doli vrau dhe rojen e shkollës, i cili u përpoq ta ndalonte.

Policia arrestoi edhe të atin e adoleshentit, në emër të të cilit ishte regjistruar pistoleta. Hetuesit thanë se Kecmanoviç kishte një muaj që planifikonte masakrën, për të cilën kishte ndërtuar edhe një skemë, e po ashtu kishte bërë një listë me emrat e nxënësve të klasës që do të ekzekutonte.

Ende nuk dihen zyrtarisht motivet e ngjarjes. Mediat serbe shkruajnë se 13-vjeçari bullizohej nga shokët. Ndërsa, policëve ai vetë u tha se ishte i çmendur. Qeveria serbe pezulloi mësimin në shkolla për këtë të mërkurë. Qeveria shpalli 3 ditë zie kombëtare duke nisur nga 5 Maji. Ngjarja ka shokuar opinionin publik vendas, pasi një masakër e tillë në shkollë nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Leave a Reply