Presidenti: Zgjidhje në përputhje me Kushtetutën
Prej tre javësh në tavolinën e Presidentit të Republikës qëndron për firmë një kërkesë e Ministrisë së Jashtme për dhënien e autorizimit nga kreu i shtetit për të negociuar me Greqinë për referimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të çështjes së kufizimit të zonave detare.
Vetë Presidenti Begaj, në krah të homologut polak Andrzej Duda, pranon se dosja konfidenciale i është dorëzuar dhe po e shqyrton me seriozitet.
“Po është e vërtetë që unë kam një kërkesë nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme e cila është e shoqëruar me një realicion shpjegues. Si President i Republikës në zbatim të detyrimeve kushtetuese këtë kërkesë e vlerësoj me seriozitetin maksimal dhe besoj se është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje. Zgjidhja e saj është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, në aktet dhe ligjet ndërkombëtare, marrëveshjet ndërkombëtare, në ligjet e brendshme por edhe në rregullat e fqinjësisë së mirë dhe të reciprocitetit”.
Kërkesa për autorizim nuk ka afat për t’u firmosur, por Presidenti mesa duket po merr kohë për të hedhur firmën në pritje dhe të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare që zhvillohen të dielën e 21 Majit në Greqi.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin polak, dy homologët prekën një sërë temash, që nga e ardhmja europiane e Shqipërisë, potenciale që ka për të rritur numrin e pushuesve polak në bregdetin shqiptar apo potencialet për të rritur bashkëpunimin ekonomik.
Presidenti Begaj: Shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë.
Duda shprehet i interesuar për bashkëpunimin në fushën e ndërtimit.
Presidenti Duda: Mjafton të shohësh kryeqytetin ose zonat përreth për të kuptuar se në ç’mënyrë dinamike zhvillohet Shqipëria. Sa shumë i nevojshëm është bashkëpunimi jo vetëm për firmat e ndërtimit por edhe për materialet.
Dy presidentët kanë folur dhe për të ardhmen e Kosovës dhe mbështetjen që mund të japë Polonia për anëtarësimin e saj në NATO në samitin e radhës që do mbahen në Vilnius në Korrik.