Droga vinte me linjat e autobusëve nga Kosova
Këto janë 5 personat që ranë në pranga në kuadër të operacionit “Punisher 2”, të zhvilluar nga policia e Tiranës ku u sekuestruan 11300 kokrra ekstazi. Finalizimi i tij u krye pas një hetimi disa mujor të sektorit të anti-drogës i inicuar nga një tjetër operacion i zhvilluar në janar të këtij viti në kryeqytet.
Droga sintetike e sekuestruar vinte nga Kosova dhe siç mund ta shihni kishte të stampuar logon e “Louis Vuitton”.
“Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.“
Po në kuadër të këtij operacioni u sekuestrua një sasi lëndë kanabis, 1 automjet dhe 5 aparate celularë.