Të dielën e 8 tetorit, Kuvendi i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, në mbledhjen e jashtëzakonshme, në të cilin merrnin pjesë edhe 10 deputetë nga Meshiati i Bashkësisë Islame të Luginës së Preshevës, me vota unanime zgjodhi në krye të këtij institucioni më të lart fetar, në mandatin pesë vjeçar Reisu -I- Ulema Nexhmedin ef. Saqipin nga Lugina e Preshevës.
Reisit Saqipi, të porsazgjedhur në pozitën më të lartë të këtij institucioni, po i vijnë mesazhe urimi, duke i uruar atij sukses dhe mbarësi në rrugën e realizimit të interesave të besimtarëve pa dallim përkatësie nacionale e krahinore, për t’i përfaqësuar në nivelin më meritor.
I pyetur Reisi Saqipi, nga portali Jetapress, se cili do të ishte prioriteti i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, në nivel republike, gjatë mandati të tij pesë vjeçar, ai, u përgjigj me kënaqësi:
“Kam kënaqësinë fillimisht t’i përshëndes dhe t’i falënderoj deputetët e Meshihateve, të cilët ma dhanë votëbesimin, ta drejtoj këtë institucion të lartë fetar. Në fakt, t’ju them të drejtën, zgjedhja ime në krye të Rijasetit, nuk është privilegj, por një amanet i shenjtë, të cilin do ta kryej me nder e përgjegjësi, kuptohet me ndihmën e atyre që më zgjodhën dhe gjithë besimtarët myslimanë, pavarësisht vendbanimeve ku jetojnë dhe veprojnë në Serbi. Është obligim i imi, gjatë këtij mandati, të angazhohem në mënyrë institucionale, të krijoj kushte për një jetë me dinjitet të komunitetit islam në shoqërinë multietnike, multifetare dhe multikonfeksionale. Ky është një amanet, mision, një qëllim që ia kam ngarkuar vetes si detyrim, për të rikthyer krenarinë dhe vlerën e Bashkësisë Islame në shoqëri” u shpreh Reisu-l-Ulema H. Nexhmedin ef. Saqipi.
Ai, po ashtu, i tha Jetapress-it, se Institucioni që përfaqëson, përmes besimit dhe edukimit, gjithmonë e ka pasur në agjendën e aktiviteteve të tij, angazhimin në zhvillimin e stabilitetit, në ndërtimin e paqes midis njerëzve, në kultivimin e bashkëjetesës, tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis njerëzve të përkatësive të ndryshme kombëtare dhe fetare. Shoqërinë multietnike, sot, nuk duhet kuptuar si diçka të rrezikshme, por përkundrazi duhet përqafuar si një pasuri kulturore e fetare, në mjedisin ku jeton si në Beograd, Sanxhak e Luginë të Preshevës. Në këtë drejtim institucioni fetar, në të cilin jam vënë në krye të tij, Rijaseti, ka treguar një kulturë të lartë bashkëpunimi me besimtarët myslimanë, duke ngritur ura e duke trasuar rrugë për një të ardhme me perspektivë të shëndoshë qytetare, fetare dhe kombëtare, tha me bindje të thellë, për Jetapress, Reisu-l-Ulema i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Nexhmedin ef. Saqipi.