Dy vajza janë përplasur rëndë nga një makinë tip “Benz” mesditën e kësaj të diele pranë kryeministrisë. Të rejat ishin duke ecur në trotuar në momentin që drejtuesi i mjetit Jorgaq Thëngjilli, 21-vjeç ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë së lartë, dhe i ka përplasur.
Dy të plagosurat janë transportuar në spital, ndërsa gjendja e njërës prej vajzave paraqitet më e rëndë. Sipas burime bëhet me dije e reja i është nënshtruar dhe një ndërhyrjeje kirurgjikale të menjëhershme.
Ndërkohë policia nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e plota, si dhe pak orë më pas u bë e mundur edhe kapja e 21-vjeçar , i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Sakaq, sipas autoriteteve i riu i është nënshtruar testeve përkatëse dhe ka dalë se nuk kishte qenë nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike, por ai rezulton me precedentë të mëparshëm pasi ka qene i ndeshkuar per shkelje te rregullave te qarkullimit kryesisht per shpejtesi tej normave te lejuara.
Automjeti ishte duke ardhur nga Liceu në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përmes rrugës “Ismail Qemali” e më pas ka përfunduar në trotuar.
Në momentet e aksidentit, në trotuar, po lëvizte edhe një tjetër qytetar, i cili për fat të mirë ka shpëtuar nga përplasja.