Është pezulluar ratifikimi në Kuvend për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët. Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci, do të jetë Gjykata Kushtetuese institucioni që do ta marrë në shqyrtim çështjen.
Mësohet sae seanca do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese më 18 Janar të vitit të ardhshëm, mbi bazën e dokumentave. (18 Janar, ora 10:00)
Kujtojmë se marrëveshja e firmosur mes dy qeverive u kundërshtua nga deputetët e opozitës.
Më 6 Dhjetor, 30 deputetë paraqitën në GjK një kërkesë zyrtare për kontrollin e kushtetueshmërisë në protokollin të nënshkruar mes Këshillit të Ministrave të vendit dhe qeverisë italiane. Kjo kërkesë u paraqit para ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, pasi sipas palës opozitare nuk është respektuar procedura e negocimit dhe nënshkrimit, pasi protokolli bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit.
Po ashtu ata kanë paraqitur dhe 3 kërkesa për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, seancë që ishte planifikuar të mbahej në Kuvend ditën e nesërme.
Edhe grupimi i Lulzim Bashës bëri të njëjtën kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, më datë 1 Dhjetor, por pala gjykuese e ka kthyer mbrapsht për plotësim dokumentesh dhe për faktin se nuk është plotësuar numri i firmave.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka njoftuar se do e kalojë çështjen në shqyrtim në mbledhjen e gjyqtarëve, pasi sipas tyre kërkesa plotëson kriteret e duhura.