Osmani thirrje shqiptarëve të Luginës që të votojnë kundër shtypjes nga Beogradi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar një mesazh shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, me rastin e zgjedhjeve që mbahen atje.

Osmani ka theksuar se pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në zgjedhjet e sotme parlamentare është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit, e cila, para syve të botës, vazhdon ta realizojë spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Luginës nëpërmjet masave administrative.

“Prandaj, ftoj të gjithë bashkëkombësit tanë në këto treva, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar, edhe pse kjo e drejtë e tyre vazhdon të jetë nën sulm nga regjimi në Beograd”, ka deklaruar Osmani.

Shqiptarët e Luginës garojnë këtë herë me dy lista. “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar.

Leave a Reply