Ishulli mesdhetar dëshiron që t’i rishikohet statusi i Sirisë, Libani ka nevojë për ndihmë
Çdo ditë, anijet patrulluese lundrojnë në ujrat e Qipros dhe monitojnë me kujdes nëse ka anije me emigrantë që vijnë nga Siria dhe Libani. Për shkak të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, ky vend i Bashkimit Evropian po përgatitet për një fluks azilkërkuesish, duke shtuar presionin mbi autoritet vendase të cilët përballen me një numër të madh personash që kërkojnë azil.
Autoritetet qipriote thonë se nurmi i refugjatëve sirianë po rritet. Kur deti është i qetë, një varke të vogël peshkimi i duhen 18-20 orë për të shkuar nga Libani drejt ishullit. Ioannis Artemiou, kreu i njësisë së policisë portuale dhe detare të qytetit te Famagustës thotë se në dy vitet e fundit ka pasur një rritje drastike të emigrantëve.
“Dy vitet e fundit ka qenë një rritje drastike e cila kulmin e ka pasur që nga gushti i këtij viti. Që nga gushti i këtij viti kemi parë varkat që vijnë me 120 persona, 140 persona, ndërsa në të kaluarën numri maksimal i emigrantëve në varka ka qenë 30, 25.”
Rritjen e numrit të emigrantëve e tregojnë edhe të dhënat e fundit.
“Ju mund të shihni vështirësinë në operacionet dhe kompleksitetin e tyre kur një numër i madh emihgrantësh mbërrijnë dhe një numër i madh varkash që mbërrijnë në të njëjtën kohë. Vetëm për shembull, fundjavën e kaluar kemi pasur njëkohësisht në të njëjtën natë tre varka, njëra prej të cilave ka qenë me 45 persona, tjetra me 97 dhe e treta me 102.”
Ndërsa një numër rekord i refugjatëve sirianë arrijnë në brigjet e Qipros, qeveria e Nikos Christodoulides dëshiron që Bashkimi Evropian të marrë në konsideratë shpalljen e atdheut të tyre të shkatërruar nga lufta një vend të sigurt.
Ministri Constantinos Ioannou thotë në një intervistë për agjenicinë e lajmeve “Reuters” se ministria e Jashtme po përgatitet ta ngrejë çështjen zyrtarisht me Brukselin.
Ioannou tha se në këtë çështje përfshihen edhe fillimet e diskutimeve mbi statusin e Sirisë dhe nëse është e sigurt për refugjatët të kthehen atje, si dhe mbështetje financiare për Libanin, i cili pret qindra mijëra refugjatë.
Ai citoi një raport nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin në shkurt të këtij viti, i cili tha se dy qeveritë siriane – Damasku dhe Tartous – u vlerësuan se “nuk kishin rrezik real që një individ të preket personalisht nga dhuna pa dallim”.
Ioannou bën me dije se refugjatët sitrianë përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve të paligjshëm që vijnë në ishull. Më shumë se 5 milionë njerëz vlerësohet të kenë ikur nga Siria gjatë më shumë se një dekade të luftës civile, ku shumica kanë shkuar në Liban dhe Turqi. Edhe pse konflikti tani është futur në një ngërç, me forcat e Presidentit Bashar al-Assad në kontrollin e pjesës më të madhe të vendit, refugjatët vazhdojnë të largohen.
“Ka një rritje të numrit të sirianëve që mbërrijnë nëpërmjet Libanit në Qipro me anije në muajt e fundit, dhe veçanërisht në dy muajt e fundit, që nga lufta e Izraelit me Hamasin, ne kemi përjetuar një rritje të madhe të emigrantëve , rreth dy here, në fakt në një muaj ka tre herë më shumë sirianë që erdhën se vitin e kaluar.”
Në Gjenevë të mërkurën, shefi i Kombeve të Bashkuara për refugjatët tha në një forum ndërkombëtar mbi refugjatët se konflikti Izrael-Hamas në Gaza mund të nxisë një fluks emigrantësh të huaj. Ioannou thotë se Qiproja është në kontakt të ngushtë me Libanin.
Qeveria qipriote i ka ofruar Libanit ndihmë teknike dhe patrulla të përbashkëta dhe beson se BE duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.
“Lufta midis Izraelit dhe Gazës ndodhi, kështu që e gjithë vëmendja e tyre tani në Liban ,është tek ajo që po ndodh në kufirin e tyre jugor dhe për t’u siguruar që asnjë refugjat të mos largohet, dhe është njerëzore dhe e kuptueshme që ata do të reagonin kështu për shkak të luftës”.
Qiproja po zgjeron kapacitetin e saj për të pritur refugjatë, por dëshiron që partnerët e saj në BE të rishohin këtë çështje. “Nëse Libani nuk mund të ndihmojë dy milionë e gjysmë emigrantë që ka atje , refugjatë sirianë – dhe ata vendosin të largohen nga Libani dhe të vijnë në Evropë, ju mund të imagjinoni se çfarë do të ndodhë në vende si Qiproja, të cilat janë më afër zonës se pjesa tjetër e Europës.”
Kërkesat për azil në Qipro arritën kulmin në rreth 21,565 në vitin 2022, shifra më e larta që kur u regjistruan për herë të parë të dhënat në 2002. Gjatë tetorit në vendin mesdhetar mbërritën 1,043 sirianë, një rritje trefish në krahasim me vitin e kaluar. Në nëntor të këtij viti, erdhën 795 emigrantë, pothuajse trefishi i nëntorit 2022.
“Ajo që po diskutojmë është se pas 10 vitesh është koha që ne si familje – BE-ja të ulemi, të rivlerësojmë të gjithë situatën – nuk është bërë asnjë vlerësim në dhjetë vitet e fundit. Kështu që unë mendoj se është koha. Gjërat pak a shumë janë stabilizuar në Siri, kështu që mendoj se është koha për të rivlerësuar dhe për të parë se cili është rezultati përfundimtar. Ne nuk po diskutojmë që rezultati përfundimtar duhet të jetë, e dini, dy zona, tre rajone që të jenë të sigurta ose jo, thjesht kërkojmë të rivlerësohen.”
Një pjesë e rritjes së emigrantëve të huaj është për shkak të një anomalies edhe në vetë Qipron. Nga viti 2019 deri në vitin 2022, ishulli u bë vija e parë e një rruge të re emigrantësh nga Afrika, kur mijëra hynë në veri të vendit me viza studentore dhe më pas u kontrabanduan në jug të vendit.
Kjo rrugë është e mbyllur praktikisht nga siguria e rreptë përgjatë një “vije të gjelbër” 180 km, duke ulur hyrjet e përgjithshme me dy të tretat këtë vit.
Por autoritetet shqetësohen se me një derë të mbyllur, një tjetër mund të hapet.