Vetëm pak metra larg godinës së kryesisë së Kuvendit, ku vendosej fati i imunitetit të tij, Sali Berisha shpalli fillimin e betejës pa kthim në sheshe me qytetarët.
“Sot kërkohet nga ne një kthesë! Duhet të dalim në shesh me betimin se jetën e japim, votën nuk e japim”.
Të parin paralajmërim ia dha Edi Ramës, të cilin e akuzon si armikun e demokracisë dhe votës së lirë.
“Pak javë më parë të paralajmërova se mosbindja në parlament ishte fillimi. Do shohësh ti, gjej vrimë ku të futesh. Edi Rama mos provo më se votën nuk ta falim kurrë. Ke marrë fund.”
Refuzon ta lidhë nisjen e mosbindjes civile me kërkesën e prokurorisë për arrestimin e tij, por thotë se ashtu si në vitin 98 ku iu hoq imuniteti, prokurorë me urdhër politik janë vënë sërish në shërbim të shtetit monist.
“Asokohe njëlloj si tani, një prokuror politik, xhelat i sigurimit të shtetit, akuzoi Sali Berishën për krime kundër njerëzimit dhe parlamenti i hoqi imunitetin, Tani në parlament, dy laro, mercenarë të Edi Ramës, kanë ardhur pasi kanë vendosur në kundërshtim me Kushtetutën privimin e lirisë ndaj meje, vijnë të rëndojnë masat ndaj meje. Kjo është dëshmia më flagrante e një shteti monist.”
Me tone të ashpra iu drejtua drejtpërdrejtë prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK-ut.
“Hiqni dorë mjeranë, do bëheni përgjegjës për çdo shkelje të ligjit dhe do trajtoheni si falanga të krimit të Ramës…”
Protestat tha se do të shtrihen jo vetëm përpara parlamentit, por edhe Gjykatës së Lartë, e cila pritët të vendosë për logon dhe vulën e Partisë demokratike në fund të muajit.
“Më 27 Dhjetor, çdo demokrat përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë”.
Mosbindja civile e opozitës cila zgjati për afro 80 minuta u zhvillua e qetë dhe pas ndezjes së disa tymueseve dhe hedhjes së vezëve në godinën e Kryesisë, protestuesit u shpërndanë paqësisht.