Qeveria izraelite po detyrohet të pranoj kërkesat e Hamasit
Tension i lartë në Izrael, si në fushën e qeverisë ashtu edhe në atë të familjarëve të pengjeve që mbahen ende në Gaza. Hamasi lëshoi një video tjetër ku shfaqen tre burra, njëri prej tyre 79-vjeçari Chaim Peri. Në kohë e tij të lirë shoqëronte fëmijët palestinezë për trajtim në spitalet izraelite si dhe bënte art si formë proteste kundër dhunës ndaj palestinezëve.
Fati i këtyre tre pengjeve do të varet nga bisedimet e reja, që duket se do të fillojnë sërish me ndërmjetësimin e Katarit. Ditët e fundit ka pasur raporte për përpjekjet e reja që po bëhen për një armëpushim të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit dhe për lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza.
Dy zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë Reuters se kryeministri i Katarit po takohet me krerët e CIA-s dhe Mossad-it. Një burim palestinez i njohur me bisedimet e armëpushimit i tha BBC-së se negociatat “nuk kanë filluar ende”. Burimi tha se Hamasi kërkon vetëm një armëpushim gjithëpërfshirës dhe nuk do të negociojë më pushime humanitare.
Drejtori i agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad, David Barnea, ka mandatin për të autorizuar kryeministrin e Katarit të nisë raundin e ri të negociatave. Por këtë herë negociatat do të jenë edhe më të vështira. Mijëra palestinezë janë vrarë që nga marrëveshja e fundit, së bashku me qindra ushtarë izraelitë dhe pozicioni fillestar i Hamasit, duket se është forcuar.
Mediat izraelite raportojnë se Kabineti i Lutës është i përgatitur të lirojë disa nga të burgosurit palestinezë më me vlerë në këmbim të pengjeve, disa prej të cilëve përfshijnë personel ushtarak izraelit.
Zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan, përsëriti të hënën qëndrimin e grupit se çdo negociatë për shkëmbimin e pengjeve do të fillojë pasi Izraeli të ndalojë luftën në Gaza. “Ne jemi të hapur për çdo nismë që synon të ndalojë këtë agresion, nga vëllezërit në Katar dhe Egjipt,” tha Hamdan gjatë një konference për shtyp në Bejrut.