Shkruan Shkëlzen Halimi
Çmimet për letërsi ndahen edhe në Tiranë, por edhe në Prishtinë dhe kjo është çështje që ndodh për çdo vit. Por, a u ndahen çmime apo a shpërblehen shkrimtarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut? Ose, a kanë ndonjë çmim tradicional që do t’u ndahej më të mirëve në fund të vitit? Fatkeqësisht, diçka të tillë nuk kanë. Ndonjë nga ata që shkruajnë tregime e vjersha herë – herë edhe shpreson për “mëshirë” nga Shqipëria e Kosova, së paku për ta arsyetuar eventualisht idenë e gjithë-përfshirjes.
“Komuniteti” (nëse mund të thuhet kështu) i shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një “komunitet” pa vlerësim, një “komunitet” që nuk ka çmim tradicional dhe disi i mbetur margjinave të rrjedhave të prodhimit letrar dhe kjo duket qartë se këtij “komuniteti” nuk i bën fare përshtypje.
Në fakt, nuk është “komunitet” që nuk boton, përkundrazi ka aq shumë botime, sa që për dikë nga jashtë ndoshta do të konsiderohej i pabesueshëm numri i botimeve brenda një viti. Botohen edhe mbi 100 vepra letrare, të subvencionuara nga Programi vjetor për botime i Ministrisë së Kulturës, por të cilat botime, fatkeqësisht askush nuk e di të tregojë se ku përfundojnë, sepse në të gjitha vendbanimet shqiptare të Maqedonisë së Veriut funksionojnë jo më shumë se 3 librari, fakt ky që gjithashtu nuk i bën përshtypje këtij “komuniteti”.
Pra ky “komunitet” deri më tani nuk e ka iniciuar as si ide themelimin e ndonjë çmimi për letërsi dhe është pak e besueshme ta iniciojë, sepse nuk ka potencë për diçka të tillë. Nuk e inicion, sepse është i fragmentarizuar dhe i barrikaduar secili në “nahinë” e vet, ndaj dhe është e kuptueshme se pse e kemi këtë gjendje. Çdo qytet (i banuar me shqiptarë) i ka shkrimtarët e vet, bile – bile, shkrimtarët e vet i kanë edhe disa fshatra me numër të madh banorësh dhe veprojnë brenda rrethit të tyre. Është edhe mafia letrare, e cila abuzon tmerrësisht keq me librin. Pastaj janë edhe disa grupime, ku të ashtuquajturit poetë e “marrin” mësysh njëri tjetrin.
Kjo, gjithsesi është edhe pasojë e mungesës së debatit brenda shkrimtarëve. E për të pasur debat, nevojitet edhe pak njohuri. Ndaj, arsyetimi i këtyre farë poetëve është heshtja dhe janë bëri disi si “qengji i but që thith dy nëna”. Kurrë, ama bash kurrë, shkrimtarët shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë debatuar qoftë edhe për problemin më të vogël. Kurrë, ama bash kurrë nuk është dëgjuar zëri i tyre për kulturën, arsimin, për politikat dështuese të subjekteve politike.
Pra, kemi të bëjmë me një “komunitet” që ka zgjedhur të vegjetojë margjinave të të gjitha ngjarjeve, përfshi edhe ato që dëmtojnë indin kombëtar. Nuk dëgjohet zëri i tyre, sepse janë të pazëshëm. Janë të shumtë ata “shkrimtarë” që si shenjë burrërie, në kuptimin e guximit, i kanë vetëm pantallonat. Nuk shohin më larg hundës së tyre. Disa nuk janë as hermafroditë. Pra, “komuniteti” i shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, është një “komunitet” i përgjumur, impotent që ka zgjedhur vetëkënaqësinë dhe nuk e di akoma se pse e nënçmon vetveten…