Kongresi voton për të shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar një projektligj për të financuar Qeverinë federale deri në fillim të marsit, duke shmangur mbylljen e pjesshme të Qeverisë. Ky projektligj i është dërguar presidentit Joe Biden, për miratim final.

Projektligji kaloi me 314 vota për dhe 108 kundër, me 106 republikanë dhe dy demokratë që votuan kundër.

Para se projektligji t’i dërgohej Dhomës më 18 janar, Senati e kaloi atë me 77 vota për dhe 18 kundër, para se të përfundonte afati të premten.

“Kemi lajme të mira për Amerikën. Nuk do të kemi mbyllje të premten”, tha lideri i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer.

Por, me këtë qëndrim nuk u pajtuan disa republikanë të ekstremit të djathtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Si Senati, ashtu edhe Dhoma përshpejtuan seancat për votim për shkak të parashikimeve se do të ketë një stuhi dimërore të premten që do të mund të pengonte mbajtjen e seancave për votim të projektligjit për financimin e përkohshëm të Qeverisë federale.

Në Senat demokratët janë shumicë dhe Dhoma kontrollohet nga republikanët. Ligjvënësit amerikanë deri më tani nuk kanë arritur të pajtohen për financimin e vitit të ri fiskal që ka nisur më 1 tetor.

Schumer dhe homologu i tij republikan në Dhomë, Mike Johnson, më herët gjatë këtij muaji u pajtuan për një nivel diskrecional të shpenzimeve në vlerë prej 1.57 trilion dollarësh për vitin fiskal që përfundon më 30 shtator. Por, tani Kongresi është ndarë dhe dy partitë nuk po pajtohen për këtë shifër, me demokratët që kanë thënë se shifra me të cilën janë pajtuar është 1.66 trilion dollarë.

Me miratimin e projektligjit për financim të përkohshëm, që tani është drejt miratimit, fokusi tani do të jetë në nevojën për të kaluar edhe 12 projektligje për ofrojnë buxhetin e plotë të vitit./rel

Leave a Reply