Probleme me qarkullimin dhe energjinë në disa zona
Reshjet e dëborës e të shiut, ua kanë lënë vendin ngricave në Shqipëri. Në Qarkun e Dibrës termometri ka shënuar -7° në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në Kalanë e Dodës -13°. Akset Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës, Ura e Çerenecit-Librazhd i kalohen vetëm me zinxhirë.
Në Qarkun e Shkodrës janë të bllokuara rrugët Bogë-Qafë Thore dhe Fushë Arrëz- Iballë. Në Mirditë në njësitë administrative Kaçinar qarkullohet vetëm me zinxhirë.
Probleme me ngricat janë shfaqur edhe në Rrugën e kombit, ku në disa segmente kalimi i automjeteve bëhet me vështirësi.
Reshjet e borës janë pasuar me ulje të ndjeshme të temperaturave edhe në juglindje të vendit. Në Dardhë trashësia e borës arriti deri në 50 cm.
Akset nacionale janë të hapura. Ndërsa aksi Korçë-Dardhë qarkullohet vetëm me zinxhirë.
Autoriteti Rrugor njofton se makinat borëpastruese janë në terren për të mundësuar kalimin pa probleme të automjeteve.
Në Drejtoritë Vendore të Policisë janë ngritur grupe drejtimi për të koordinuar punën dhe për të menaxhuar informacionet që sigurohen nga të gjitha zonat e vendit.