Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash ka thënë se sulmi i Banjskës në shtator të 2023-ës, ishte një përshkallëzim i rëndë i tensioneve në rajon.
Megjithëse pas këtij sulmi terrorist, situata në veri të Kosovës siç vlerëson ai, mbetet e tensionuar.
”Incidenti i Banjskës në veri të Kosovës në shtator 2023 ishte një përshkallëzim i rëndë i tensioneve në rajon. Pas kësaj, situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar. Duke pasur parasysh dinamikën komplekse dhe potencialin për trazira të mëtejshme, veçanërisht në veri të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë KFOR-in, mbetet vigjilent”, citon Telegrafi të ketë deklaruar Ulutash.
Tutje ai ka shpalosur qartë synimin e KFOR-it, ndërsa ndau mesazh që dialogu mbetet e vetmja zgjidhje për paqen, mes Prishtinës dhe Beogradit.
”Qëllimi ynë është të parandalojmë çdo përsëritje të dhunës dhe të ndihmojmë në krijimin e kushteve për të inkurajuar dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Aktivitetet e përditshme të KFOR-it kanë për qëllim krijimin e kornizës së nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga BE të ecë përpara. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në nëntor, ‘Beogradi dhe Prishtina duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm’ ”.
Mes tjerash ai përmendi edhe gjendjen e situatës aktuale në veri.
”Në përgjithësi, situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon, sepse ndërgjegjësimi për situatën është jetike për ne”.