Ngjarje të paprecedentë në Parlamentin e Greqisë e konsiderojnë mediat greke episodin e dhunës mes deputetëve.
Në seancën e sotme parlamentare në Athinë, pati konfrontim me grushte mes dy deputetëve.
Në sherr u përfshinë deputeti i pavarur Kostantinos Floros dhe deputeti i Zgjidhjes Helenike, Vasilis Gramenos.
Sherri ndodhi teksa në Parlament po diskutohej heqja e imunitetit të kryetarit të partisë Zgjidhja Helenike për shkak të një akuze për shpifje që po hetohet, të bërë në fakt nga babai i deputetit Floros.
Ky i fundit kërkoi të merrte fjalën në seancë, por nuk iu dha pasi rregullorja nuk e lejonte. Mes tij dhe deputetit Gramenos pati një përplasje verbale.
Në një replikë, deputeti Floros tha se çështjen do ta shqyrtojnë gjykatat, kurse deputeti tjetër Gramenos e ofendoi duke i thënë “mbylle gojën plehrë, do të të q*** nënën, ty do të të çoj në burg me pranga në duar”.
Floros reagoi duke i thënë “dil jashtë të ma thuash”.
Të dy më pas dolën në korridorin e Parlamentit, ku aty pati kontakt fizik mes tyre dhe goditje me grushte.
Ishte deputeti Floros që e kapi nga qafa deputetin Gramenos, e goditi me grusht dhe e hodhi në tokë.
Gramenos u dërgua për ndihmë mjekësore.