Petar Petkoviqit i refuzohet kërkesa për hyrje në Kosovë

Kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq i është refuzuar leja për vizitë në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Leutrim Sahiti, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Sahiti.

Për refuzimin e vizitës së Petkoviqit në Kosovë, kanë shkruar edhe mediat serbe.

Sipas mediave serbe, Petkoviq gjatë kësaj vizite kishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

Kjo nuk është hera e parë që Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë.

Petkoviq, i cili është drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë serbe, i ishte refuzuar hyrja në Kosovë edhe para disa muajsh.

Leave a Reply