Pisonero: Çështjet dypalëshe jo pengesë për procesin e anëtarësimit
Komisioni Evropian shpreson që Shqipëria të nisë sa më shpejt të jetë e mundur bisedimet e anëtarësimit me BE-në me hapjen e kapitujve të parë të negociatave. Sipas zëdhënëses Pisonero, mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet që të vonojnë procesin e pranimit të shteteve kandidate në BE.
“Për sa i përket marrëdhënieve aktuale midis Greqisë dhe Shqipërisë, ne nuk kemi më shumë detaje. Qëndrimi ynë është padyshim i qartë. Ne po ndjekim në vazhdimësi zhvillimet, por nuk mund të komentojmë për një çështje që është ende duke u shqyrtuar në proçes gjyqësor. Ne presim që ky proçes ligjor të finalizohet. KE është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet kandidate për anëtarësim si dhe me shtetet aktuale anëtare. Për ne çështjet dypalëshe nuk duhet të bëhen pengesë për procesin e zgjerimit. Shpresojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të jenë në gjendje të hapin sa më shpejt kapitullin e parë të negociatave për të drejtat themelore. Mbetet që shtetet anëtare të BE-së të vendosin se kur do të ndodhë kjo.” Pisonero theksoi se Komisioni Evropian e sheh çështjen “Beleri” si një çështje rreptësisht dypalëshe.
Ajo iu referua gjithashtu kërkesës së Bullgarisë që Maqedonia e Veriut të njohë ekzistencën e pakicës kombëtare bullgare në kushtetutën e saj. Zyrtarja e BE tha se qeveria aktuale është e përkushtuar për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Opozita e Maqedonisë së Veriut, e favorizuar për të fituar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ka denoncuar sipas saj kapitullimin e qeverisë në largim të Kovaçevskit ndaj kërkesës së Bullgarisë.
Vetëm 3,506 njerëz nga 1,836,713 popullsia e Maqedonisë e përshkruajnë veten si bullgarë në regjistrimin e vitit 2021.