Finlanda do të prezantojë planin për të larguar emigrantët në kufirin rus

Finlanda do të propozojë një ligj javën e ardhshme që lejon agjentët kufitarë të bllokojnë azilkërkuesit që përpiqen të hyjnë nga Rusia, tha kryeministri, një vendim që mund të bëjë që Helsinki të shkelë përkohësisht angazhimet e tij ndërkombëtare.

Finlanda mbylli kufirin e saj me Rusinë vitin e kaluar për të ndaluar një numër në rritje të azilkërkuesve nga vende të tjera, përfshirë Sirinë dhe Somalinë.

Finlanda “mërziti” Rusinë vitin e kaluar kur iu bashkua  aleancës së NATO-s, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Ajo gjithashtu ka nënshkruar një pakt dypalësh të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara.

Projektligji i propozuar nga koalicioni qeverisës i krahut të djathtë pranon se kthimi i emigrantëve në Rusi pa përpunuar kërkesat e tyre për azil do të ishte në kundërshtim me angazhimet ndërkombëtare të Finlandës për të drejtat e njeriut, por thotë se përdorimi i tij do të jetë i përkohshëm dhe i kufizuar.

Kryeministri Peteri Orpo tha se propozimi do të shkojë në parlament javën e ardhshme, ku do t’i paraqitet komisionit kushtetues për shqyrtim.

Më pak se 40 emigrantë kanë kaluar kufirin nga Rusia këtë vit që kur Finlanda mbylli pikat e saj tokësore, ndërsa rreth 1,300 mbërritën përmes vendkalimeve vitin e kaluar, treguan të dhënat e Gardës Kufitare.

Një vendkalim hekurudhor mbetet i hapur vetëm për mallra. Udhëheqësit finlandezë thonë se legjislacioni është ende i nevojshëm sepse emigrantët mund të fillojnë të mbërrijnë përsëri pasi moti i ngrohtë e bën udhëtimin më të lehtë.

“Ka ende mijëra njerëz në Rusi … që presin një mundësi për të arritur në kufirin finlandez,” tha Orpo, duke cituar raportet e inteligjencës.

Finlanda ndan një kufi prej 1340 km me Rusinë.

Projektligji do të lejojë autoritetet kufitare të kthejnë azilkërkuesit që kalojnë nga Rusia, me ose pa përdorur forcë. Por nuk do të zbatohej për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, kërkesat për azil të të cilëve Finlanda do të vazhdonte t’i pranonte.

I kontaktuar nga Reuters më 3 maj, grupi më i madh opozitar i Finlandës, Social Demokratët, tha se nuk do të angazhoheshin për të mbështetur projektligjin përpara se parlamenti të kishte diskutuar versionin përfundimtar.

Avokati i Popullit i Finlandës për mosdiskriminimin, Kristina Stenman, tha se do të ishte alarmante nëse Finlanda refuzonte të pranonte kërkesat për azil nga njerëzit që mbërrinin në kufijtë e saj.

Leave a Reply