Lufta në Gaza, burime për CNN: Zyrtarët izraelitë, egjiptianë dhe amerikanë do të diskutojnë rihapjen e kalimit në Rafah të dielën

Zyrtarët nga Izraeli, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara do të takohen në Kajro të dielën për të diskutuar rihapjen e pikës kufitare Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës, tha një zyrtar egjiptian për CNN.

Një zyrtar izraelit i tha gjithashtu CNN se një takim për këtë çështje ishte organizuar, ndërsa nuk dha detaje të tjera.

Takimi trepalësh vjen gati një muaj pasi Izraeli mori kontrollin e kalimit në Gaza dhe Egjipti ndaloi furnizimet me ndihma përmes Rafahut.

Izraeli dhe Egjipti kanë fajësuar njëri-tjetrin për bllokimin. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz i bëri thirrje Egjiptit të rihapë kalimin.

Homologu i tij egjiptian Sameh Shoukry akuzoi Katz për “shtrembërim të fakteve”, duke thënë se ofensiva e Izraelit pranë vendkalimit dhe rreziku që ajo paraqet për punonjësit e ndihmës – ishte arsyeja që Egjipti nuk mundi të dërgonte ndihma në Gaza.

Rafah kishte qenë më parë arteria qendrore për derdhjen e ndihmave në Gaza dhe, në nëntor, për disa palestinezë të plagosur dhe shtetas të huaj për të hyrë në Egjipt.
Me Rafahun e kthyer në epiqendrën e armiqësive, ndihmat po transferohen në Rripin e Gazës përmes dy pikave të tjera në kufirin Izrael-Gaza.

Të enjten, televizioni shtetëror egjiptian Al-Qahera citoi një burim të informuar të nivelit të lartë duke thënë se Egjipti mbetet i palëkundur në kërkesën e tij që ushtria izraelite të bëjë një tërheqje të plotë nga vendkalimi Rafah si një parakusht për rihapjen e tij.

Burimi mohoi raportet e mediave izraelite që pretendonin se Egjipti kishte rënë dakord në parim të rihapte kalimin për ndihmat humanitare pas diskutimeve me Izraelin dhe SHBA-në më herët të enjten.

Leave a Reply